Partizani as që ka ndërmend të lëshojë kreun në këtë fillim faze të katërt, por kalendari i rezervon një transfertë delikate, atë përballë Egnatias. Trajneri i “demave”, Giovanni Colella, vlerëson rivalët, fundja janë në vendin e tretë, vetëm 6 pikë larg Partizanit:

Si e vlerësoni Egnatia?

Egnatia është e treta. Ata kërkojnë të fitojnë që të hyjnë në lojë. Për mendimin tim Egnatia është një skuadër e fortë, e kam thënë gjithmonë.

Sa besim ju jep fakti që luani në një stadium që nuk do të ketë tifozë?

Nuk ndryshon asgjë. Nëse luajmë pa tifozë, atëherë kanë një motiv.

Mungesa e Da Silvës dhe gjendja jo e mirë e Atanaskoski…

Da Silva nuk ka luajtur për tre muaj me Partizanin. Atanaskoski sigurisht që ka një problem, por mendoj se nuk është shumë i madh sepse kemi dhe lojtarë të tjerë. Të gjithë ata që kemi në dispozicion do të bëjnë një punë shumë të mirë dhe mendoj se do t’i shmangin këto mungesa.

Do të ishte pozitiv një barazim?

Sa i përket barazimit nuk mund ta them tani, por mbas ndeshjes. Por ne i përgatisim gjithnjë ndeshjet për t’i fituar.

A mund të konsiderohet e rrezikshme kjo ndeshje?

Sigurisht që ata do të bëjnë maksimumin për ta fituar ndeshjen. Nëse e realizojnë këtë gjë do të jenë një kundërshtar në luftën për titull. Por ne do të bëjmë më të mirën për ta fituar ndeshjen. Nëse nuk e arrijmë do të synojmë të njëjtën gjë ndeshjen e radhës.

Plan të veçantë për Duamenën?

Nuk mendoj se është vetëm Duamena lojtar i rrezikshëm, por Egnatia ka shumë lojtarë cilësorë. Pra nëse ndalojmë Duamenën, është Kasa, është Xhekson, që dhe ata mund të shënojnë.

Përse ndryshohet pas çdo ndeshje formacioni?

Sepse kënaqem. Unë duhet të kënaqem kur punoj. E patë Milan-Empoli mbrëmë? Kush luante me Milanin? Ky është futbolli. Futbolli i kohës së sotme. Nuk mund të përqendrohem te futbolli i kohës së tashme, mund ta quaj diktaturë. Ka qenë dhe futbolli atëhershëm i thjeshtë për trajnerët. Unë kam njohur një trajner që formacionin nuk e zbardhte asnjëherë para ndeshjes, sepse luanin të njëjtët lojtarë. Ishte e thjeshtë për të.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb