TIRANË

Sot në “Air Albania” u zbuluan se kush ishin 24 personalitetet e artit dhe politikës shqiptare mbi 80 vjeç, të përzgjedhur nga qeveria për të marrë dozën e parë të vaksinës se Pfizer.

Vaksinimi nisi që prej orës 09:30, kur në ambientet e stadiumit mbërriti e para aktorja Tinka Kurti, e më pas kamerat fiksuan të hynte edhe Margarita Xhepa, regjisori Piro Milkani, Dhimitër dhe Roza Anagnosti, si dhe këngëtari Sherif Merdani.

Pjesë e personaliteteve të moshuar që morën vaksinën ishte edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, edhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi.

Ndërkohë, Edi Rama iu përgjigj akuzave të presidentit Ilir Meta dhe zërave kritikë në lidhje me vaksinimin selektiv të personaliteteve. Shefi i qeverise i konsideroi këto akuza sulme të neveritshme të pseudo-personaliteteve, teksa tha se nuk ka diferencime.

Sakaq, regjisori Piro Milkani u shpreh i kënaqur që ishte një nga të përzgjedhurit, ndërsa tha se vaksina është e vetmja zgjidhje për pandeminë.

“Jam i kënaqur që e bëra i 6 mijti, them se kam këmbën e mbarë që ata do të bëjnë pas 80-vjeçarë. Sigurisht që vaksina është gjëja më e mirë dhe shpëtimi i vetëm i kësaj pandemie të keqe. Nëse 100 vite më parë, gripi spanjoll shkatërroi njerëzimin, jam optimist se vaksinimi do të na shpëtojë. Punë e tyre. Vaksina është një gjë shumë e mirë”, u shpreh regjisori i njohur.

Përveç personaliteteve, në “Air Albania” janë paraqitur dhe disa të moshuar të tjerë veteranë lufte apo mjekë në pension. Njëri prej tyre, 95 vjeç, tha për News24 për 24 se është veteran lufte.

Përzgjedhje e personave që u vaksinohen para kategorive specifike të evidentuar në planin kombëtar të vaksinimit është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb