Nga Përparim Kalo

I tronditur prej humbjes së njeriut tonë të dashur, që për mua dhe motrat e mia ishte edhe me statusin e babait të dytë, mund të shkruaj aq sa të lejojnë emocionet e një dite si kjo, që përcjell lajmin nga dheu i huaj se ai që e mendoje, nëse jo të përjetshëm, të paktën shumë më jetëgjatë se kaq, i ka mbyllur sytë përgjithmonë.

Ungji im/ynë Isuf i përket një kategorie të rrallë njerëzish. Këtë e them pasi e kam ndjerë nga qindra sy e gojë të shumë njerëzve që na rrethojnë, të cilët ia kanë njohur Isuf Kalos zotesinë profesionale dhe interesat e gjera intelektuale por edhe mirësinë që rrezatonte në marrëdhëniet njerëzore.

Historia e tij, arritjet, sfidat, kanë qenë leksione të gjalla për ne.

Fillimisht student ekselent në vitet kur nuk kish fonde të posaçme për atë kategori studentesh, ai arriti të shkëlqente shpejt në mjekësi si kërkues shkencor, duke u bërë edhe i njohur ndërkombëtarisht si specialist, por po aq shkëlqente në fushën e letrave, si vjershëtor e më pas si autor i mjaft librave shkencorë e publicistikë, e së fundmi si prozator me librin e mirëpritur Blloku.

Por nuk mbetej pas në lojën e shahut e të pingpongut, e sidomos në fushën e humorit, ku shprehjet e batutat e tij sillnin gaz e hare në grumbullimet e vogla e të mëdha, spontane a të organizuara, familjare a sociale

Marrëdhënia ime me Isufin ishte më tepër se ajo prej gjakut. Ai u bë mentori im, udhërrefyesi e frymëzuesi im për rreth 50 vjet, kur pas humbjes së babait tonë mori përsipër rolin e tij prindëror.

Kam ndjekur me vëmendje ecurinë e karrierës së tij të spikatur si mjek dhe habitesha se ku gjente kohë të merrej me aq shumë gjëra, të lexonte aq shumë e të shkruante, të bënte vizita të kujdesej edhe për nipër e mbesa, ndërkohë që kish sytë e mendjen tek dy fëmijët e tij.

Po nuk mbetet me kaq. Ai ndiqte nga larg, e afër, kudo ku ndodhej, ecurinë akademike e profesionale edhe të fëmijëve tanë, u falte atyre po aq dashuri sa kishim ndjerë e ndjenim edhe ne.

Të gjitha këto skalitën në mendjen time staturën e një njeriu të jashtëzakonshëm, dhe sot që ndjeva se tronditja ime ishte në rezonancë me atë të shumë miqve e shokëve të tij, shumë prej të cilëve u bënë edhe shokët e mi, kuptova që ai ka lënë pas një pasuri të madhe, një cikël të plotë leksionesh që janë fiksuar në kujtesën tonë falë njohjes, qëndrimit e komunikimit me të.

Një tjetër tipar dallues i tij, që arrita ta shquaj me kohë, ishte guximi, trimëria. Trimëria e llojit të ri, e epokës së pasluftës. Trimëria për të marrë përsipër detyra të vështira e për t’ja dalë mb’anë. Trimëria për të shkruajtur e për të qenë kritik në mbrojtje interesit publik.

Por guximi i tij u shpalos në sytë e mi kohët e fundit kur më foli hapur për vdekjen që i afrohej pashmangësisht. Më foli hapur për etapat që do të ndiqte ajo dhe madje priti me gjakftohtësi. Po aq ftohtë priti konkluzionin e mjekes së huaj, e cila i tha se nga treguesit e gjendjes së tij, jeta e tij parashikohej të ndërpritej brenda pak muajsh.

Nuk mund ta përshkruaj ankthin që më pushtoi teksa dëgjova këtë komunikim dhe qetësia me të cilën Isufi e dëgjoi dhe e përcolli tek ne me buzëqeshje këtë lajm dramatik. Dhe ky qendrim ka kohë që më rri në mendje si një ndër leksionet e tij më domethënës…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: