Gazetari shqiptar Artur Bibe në Greqi ka treguar se presidenten e parë grua që u zgjodh në Greqi e ka fqinje dhe si e njeh ai.

“Presidentja e re banon në zonën ku mbipopullohet nga shqiptarët, ku nisën autobusët e Shqipërisë. Ka çdo ditë të bëjë me shqiptarët, një shqiptar i pastron shtëpinë, e kemi komshije, unë nuk e mbaja mend me thënë të drejtën, thoja ku e kam parë, ku e kam parë, po më vonë e kujtova që pimë kafe në të njëjtin lokal. Është shumë popullore, e çliruar nga të gjitha ngarkesat negative, gjithë emigrantët i sheh si njerëz, jo si pjesë e huaj e komunitetit, bile ka bërë shumë lëvizje që të integrohen në shoqërinë greke emigrantët. Edhe si individ është njeri pozitiv.”- tregoi ndër të tjera, gazetari detaje të jetës së përditshme të presidentes së parë grua në Greqi, Katerina Sakellaropoulou, për Uake Up.

Gazetari: Të ka rënë rasti t’i japësh ndonjë kafe presidentes?

“E pinim kafen rregullisht në të njëjtin lokal e vrisja mendjen ku e njoh, pyeta edhe kamarieren, moj ku e njoh unë këtë, është ajo zonja që vjen me atë plakun. Atje ku ulet të krijon idenë e njeriut që nuk ka probleme, se këtu kryetarët e gjykatës ruhen shumë dhe presidentja s’ka lëvizur me roje, është një teatër ngjitur me kafen, shkon atje rregullisht, ka një mace, ka një qen”, tha gazetari.

***

Greqia ka bërë një hap historik duke zgjedhur presidenten e parë femër, pasi kryeministri Qiriakos Mitsotaqis nominoi 62-vjeçaren Katerina Sakellaropoulou.

Parlamenti i Greqisë votoi që në raundin e parë për zgjedhjen e Sakellaropoulou si presidente e ardhshme të vendit fqinj. 63-vjeçarja fitoi mbështetjen e 261 deputetëve në parlamentin me 300 vende, falë edhe një pakti të heshtur mes qeverisë dhe opozitës.

Në më pak se 24 orë më vonë, partitë e opozitës, në një shfaqje të rrallë uniteti, mbështetën kandidaturën e saj. Ajo u votua nga partia qeveritare Demokracia e Re, partia më e madhe e opozitës, SYRIZA dhe nga Lëvizja për Ndryshim (KINAL).

Sakellaropoulou do të shërbejë 5 vjet duke filluar nga 13 marsi, kur përfundon mandati i presidentit aktual Prokopis Pavlopoulos. Gazetari i TCH Artur Bibe tregoi sesi është njohur me presidenten e parë grua në Greqi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb