Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE – Në aksidentin rrugor të datës 30 korrik në aksin Kavajë-Rrogo-zhinë, ku humbi jetën 32-vjeçarja Bujana Bushi, janë aksidentuar edhe anëtarët e një familjeje tjetër. Bëhet fjalë për çiftin Cenga nga Tirana dhe tri vajzat e tyre, të cilët, për shkak të plagëve që kanë marrë gjatë këtij aksidenti, janë detyruar që të qëndrojnë për afro një javë në Spitalin e Durrësit dhe tek ai i Traumës në Tiranë. Por, policia e kryeqytetit në njoftimin e saj zyrtar pas aksidentit ka cituar se nga ky aksident janë plagosur vetëm tri vajzat e mitura, S.C., A.C. dhe F.C., pa e dhënë ngjarjen të plotë, duke shtuar edhe më shumë misterin se përse shumë detaje nuk janë raportuar nga ky aksident. “Gazeta Shqiptare” ka arritur të kontaktojë me Alma Cengën, bashkëshorten e drejtuesit të mjetit tjetër me të cilin është përplasur edhe “Benz”-i ku udhëtonin viktima Bujana Bushi dhe biznesmeni Kosta Taçi. Në këtë rrëfim, nëna e tri vajzave tregon me detaje se si automjeti tjetër u preu rrugën duke dalë nga korsia tjetër.

Çfarë ka ndodhur ditën që jeni aksidentuar?
Më datë 30 po ktheheshim nga Ksamili, sepse ishim me pushime. Ne ishim me makinën tonë dhe po ecnim avash për shkak të fëmijëve që kishim me vete. Pikërisht në vendin ku ndodhi edhe aksidenti, na vjen një makinë nga korsia tjetër e rrugës, hyn në korsinë tonë dhe përplaset me ne. Më vonë morëm vesh se makina ishte ajo në të cilën kishte udhëtuar biznesmeni me vajzën që humbi jetën, të cilët fillimisht ishin përplasur me një motoçikletë. Po ne këtë pjesë nuk e kemi parë, pasi pamë vetëm makinën kur na erdhi aq afër sa ne nuk mundëm të bënim asgjë: makina u përplas me ne dhe pastaj devijoi. Unë nuk mbaj mend çfarë ndodhi më pas, sepse humba ndjenjat dhe jam zgjuar vetëm në spital. Aty kam kuptuar se ku isha dhe më thanë se çfarë kishte ndodhur.
Ju, nuk arritët të shikonit se kush ishin personat që udhëtonin me makinën që u përplas me ju?
Jo, nuk kam parë asgjë! Kam parë vetëm makinën që doli nga korsia e vet, çau trafikndarësen dhe doli përballë nesh. Unë humba ndjenjat dhe jam zgjuar në spital. Edhe për vajzat dhe bashkëshortin tim nuk e dija se çfarë kishte ndodhur; vetëm më pas kuptova se çfarë kishte ndodhur.
Sa kohë keni qëndruar në spital?
Pasi kemi bërë aksidentin, na kanë ndihmuar shumë njerëz aty rrotull. Fillimisht na kanë dërguar në Spitalin e Durrësit, ku na kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas na kanë dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku na kanë mbajtur për afro një javë.
Ku jeni dëmtuar nga aksidenti?
Nga aksidenti kemi mbetur të gjithë të dëmtuar si familje. Unë kam qenë e ulur në vendin e parë të makinës, bashkëshorti im i jepte makinës dhe tri vajzat e mia kanë qenë të ulura në pjesën pas të makinës. Pas këtij aksidenti, vajza ime e vogël, që është vetëm 4 vjeçe, ka dalë pa ndjenja dhe ka qëndruar në reanimacion për disa ditë, ndërkohë që është akoma e tronditur dhe mjekët më thanë se ka dëmtime të trurit dhe të kockave të kraharorit; vajza tjetër e madhe është plagosur në këmbë dhe vajza e dytë ka dëmtime në gjithë trupin. Unë vetë kam plagë në trup, në fund të barkut, kam dëmtime në mushkëri, ndërsa bashkëshorti ka pasur dorën në allçi, ndërsa ka dëmtime në trup. Por, dëmi ynë më i madh është psikologjik, pasi ne kemi mbetur të gjithë të traumatizuar. Nuk jua shpjegoj dot tmerrin e këtij aksidenti! Kur pashë makinën që na erdhi përpara me atë shpejtësi, mendova se jeta jonë mori fund. Kemi parë vdekjen me sy!
Çfarë kërkoni ju pas këtij aksidenti?
Unë dua t’i shpreh ngushëllimet familjes së vajzës që humbi jetën në aksident dhe nuk dua të përzihem me çështjen e tyre, sepse e zgjidh vetë drejtësia. Unë dua të di se përse aksidentimi i familjes sime nuk është përmendur nga policia, është përmendur shumë tërthorazi, ndërkohë që ne kemi mbetur të gjithë të plagosur në këtë aksident. Policia thotë se në aksident kanë mbetur të plagosur vetëm tri vajza të mitura, ndërsa nuk përmend se kemi qenë të plagosur unë dhe bashkëshorti, pra të gjithë si familje. Ne duam që shteti të na trajtojë si të dëmtuar dhe jo si autorë. Ne jemi të pafajshëm në gjithë këtë histori, pasi ishim në punën tonë dhe makina na u përplas vetë. Por, pas këtij aksidenti na kanë bllokuar makinën, e cila është taksi dhe bashkëshorti im e përdor për të fituar bukën e gojës. Gjithë kohën në media flitet për aksidentin dhe jepet makina jonë, ndërsa ne nuk na pyet njeri, nuk na përmend njeri. Nuk e kuptojmë se përse është lënë në harresë, kur ne jemi dyfish të dëmtuar. Unë dua që të dalë se ne jemi të pafajshëm dhe të mos luhet me standarde të dyfishta.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: