Shefi i opozitës, Lulzim Basha, është dërguar zyrtarisht i pandehur në gjykatë për akuzën e falsifikimit të formularëve, lidhur me kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shumën e 675 mijë dollarë.

Në të njëjtën dosje e për të njëjtën akuzë janë marrë të pandehur edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, dhe shefi i financës së këtij subjekti politik, Ilir Dervishi. Prokuroria vendosi të pushojë akuzën e pastrimit të parave me lobim rus, që ngriti muaj më herët ndaj shefit të opozitës dhe dy zyrtarëve të tjerë të djathtë.

Por, ndërsa u konfirmua fakti se dosja “Basha” u dërgua për gjykim në Gjykatën e Tiranës, News 24 mësoi se lidhur me këtë cështje ka patur një debat të fortë në Prokurorinë e Tiranës. Kërkesa për gjykim, që është një akt i rëndësishëm procedurial, rezulton të jetë firmosur nga prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako, ndërsa prokurori i tretë, Kol Hysenaj, ka refuzuar ta firmosë atë.

Burime të besuara thanë për News 24 se përplasja mes tre prokurorëve ka qenë e fortë, pasi prokurori Hysenaj ka qenë i mendimit se hetimet duheshin vijuar, ndërsa kolegët e tij firmosën që çështja të dërgohej për gjykim. Në kushtet, kur ka debat mes grupit të prokurorëve, pavarësisht se respektohet pavarësia e tyre, është drejtuesi i prokurorisë që ndërhyn proceduralisht për zgjidhjen e situatës.

Një gjë e tilla nuk ka ndodhur, përderisa drejtuesja e prokurorisë, Elisabeta Imeraj, prej ditësh nuk paraqitet në punë, pasi është në regjim spitalor. Burimet thanë se në këtë situatë, edhe vlefshmëria e aktit të njoftimit të përfundimit të hetimeve, edhe marrja e kopjes së akteve, apo dhe vetë dërgimi i çështjes në gjyq, mbeten për t’u zgjidhur proceduralisht.

Hetimet për këtë çështje nisën kryesisht nga Prokuroria e Tiranës, pas një shkrimi të revistës amerikane, Mother Jones, e cila hidhte dyshime të forta se kompani të lidhura me shtetas rusë kishin financuar në favor të Partisë Demokratike. Referuar deklarimeve të kompanisë së lobistit Nik Muzin, rezultonte se ajo kishte marrë tri pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Njëra nga pagesat është bërë nga kompania Biniata Trade, e regjistruar në Skoci, e krijuar si partneritet i dy kompanive të tjera, të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, aksionet e të cilave zotërohen nga shtetas rusë.

Sipas Prokurorisë, Lulzim Basha dhe zyrtarët e tjerë të PD-së nuk i kanë deklaruar këto pagesa, por vetëm një shumë prej 25 mijë dollarësh, e për këtë shkak duhet të përgjigjen për falsifikimin e formularëve. Pas njoftimit për dërgimin e çështjes në gjyq për shefin e opozitës i menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike.

“Prokuroria vendosi pushimin e akuzës qesharake që e stisën dhe e përdorën për të goditur kundërshtarin politik sipas një strategjie të miratuar nga zyra e Edi Ramës. Pasi u keqpërdorën duke akuzuar zyrtarët e Partisë Demokratike për pastrim parash dhe përdorim të parave ruse, prokuroria sot u detyrua të pranojë se këto akuzave të stisura nuk qëndrojnë”, thuhet në dekleratë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb