Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste, ku janë prezantuar edhe zyrtarisht kandidatët në 5 bashkitë që janë ende pa kryetar, e do të futen në një garë me partitë e tjera opozitare për të fituar drejtimin e tyre.

Fjalën e parë pas mbledhjes së kryesisë e mori Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri. Ai tregoi para mediave se emrat e zgjedhur janë me integritet dhe që i përfaqësojnë denjësisht qytetarët.

“Kryesia e PS bëri një mbledhje dhe akoma ka një diskutim të hapur. PS konkludoi me kandidaturat. Ne Durrës vendosëm të rikonfirmojmë Emirjona Sakon. Ka justifikuar me punën e saj këtë përgjegjësi. Kryesia e PS u nis nga parimet që figurat të jenë të pastra, i mirëpresin qytetarët dhe janë bërë me konsultime me qytetaret. Jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje dhe është një moment i mirë për të fituar të gjitha bashkitë”, u shpreh Gjiknuri.

Drejtuesja politike e Qarkut Shkodër, Edona Bilali, ka konfirmuar emrin që është lakuar në media së fundmi. Ajo tha se kandidate zyrtare nën logon e PS në Shkodër do të jetë Majlinda Angoni, aktualisht perfektë në këtë qark.

“Në Bashkinë Shkodër do të dalim me kandidaten Majlinda Angoni që aktualisht mban pozicionin e perfektes së qarkut”, tha Bilali.

Drejtuesi politik i Qarkut të Dibrës, Ministri Ulsi Manja, ka zbuluar se kandidat në këtë bashki do të jetë bankieri Rrahim Spahiu. Sipas Manjës, Spahiu është një figurë që do të bëjë shumë për këtë qytet, e vjen nga një karrierë të gjatë në administratën publike dhe atë bankare.

“Jam këtu për kandidatin që do të kandidojë në zgjedhjet e 6 marsit. PS mori në analizë kandidaturat e dhëna nga unë. U konludua që kandidati do të jetë Rrahim Spahiu. Është njeri me vizion, Dibra ka një shans e do të ketë në krye një person me integritet. jam i bindur që do të bëjmë punë të mirë”- tha drejtuesi i qarkut, Ulsi Manja.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherazi dhe drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës, Erion Veliaj, ka zbuluar dy emrat që do të përfaqësojnë PS në dy bashkitë, Vorë dhe Rrogozhinë. Në Vorë është vendosur një kandidat një arsimtar, i quajtur Blerim Shera. Ndërsa në Rrogozhinë i është besuar sërish Edison Memollës, që aktualisht mban postin e kryetarit të bashkisë në këtë qytet.

“Kishim një diskutim që zgjati një orë. Janë dy bashki të vogla. Vora ka shkuar herë majtas herë djathtas, kemi pasur fitore spektakolare atje. Kemi disa kantiere të hapura në Vorë. Rruga autostrada e madhe kalon atje, e duam që Vora të trajtohet si kërthiza e Shqipërisë. Kemi shumë projekte atje.
Rrogozhina gjithashtu është bërë një rëndësi atraktive. Kemi parë këto situata. Në Rrogozhinë do të vijojmë me Edison Memollën.

Një djalë fantastik. Sot Rrogozhina është dhe pjesa e bregdetit, janë ndërthurur të gjitha. Ndaj do të vazhdojmë të mbështesim Edisonin, e mezi pres që si në Vorë dhe Rrogozhinë të kemi rezultate të mira. Në Vorë kemi pasur disa drejtues e duam të jetë një faktor unifikues, i kemi besuar një mësuesi. Blerim Shera do të jetë kandidat për Vorën. Mezi pres të rikthehem në fushatë”, tha Veliaj.

Ende e paqartë situata në Bashkinë e Lushnjes. Drejtuesi politik i Fierit, Taulant Balla tha se njëra nga kandidatet potenciale do të jetë kryetarja aktuale e qytetit Eriselda Sefa. Megjithatë, do të bëhet një konsultim me bazën e PS në Lushnje, për të shikuar dhe emrat që ata do të propozojnë, ndërsa të martën do të komunikohet zyrtarisht kandidati.

“Besoj që e kanë bërë dhe kolegët e mi. Dua t’ju falënderoj për vëmendjen tek vendimmarrjet që merr kryesia e PS-së. Vendimmarrje që i nënshtrohen proceseve konsultative në gjithë territorin.
Lidhur me interesimin për kandidatin apo kandidaten që PS do garojë në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Lushnjës, kemi zhvilluar një proces shumë të thellë dhe të ngutshëm për shkak të kohës që kishim në dispozicion konsultimi jo vetëm me strukturën. Kemi bërë kësaj radhe një proces shumë më të hapur. Një proces dhe më të gjerë.
Kam kërkuar që ditën e parë që procesi që ditën e parë pas një liste të reduktuar t’i shtohet një anketim publik dhe besoj të martën në mëngjes do keni emrin.
Po, është e vërtetë që është një prej kandidatëve (Eriselda Sefa), por nuk dua të hyj sot në emrat, do ta quaja një lloj strategjie, për shkak se unë jam drejtues politik prej një kohe të shkurtër në qarkun e Fierit.

Ka aq shumë kandidatë që kanë hyrë në këtë proces dhe që unë për të qenë i saktë, bashkë me kryesinë e partisë kemi vendosur që të përdorim këtë element. Kishte filluar dhe nuk u përmbyll dot sot. Nuk dua të flas për numra, e rëndësishme është që kryetari i ri i bashkisë Lushnjë do të jetë një person që ka përgatitjen e duhur për të çuar përpara projekte të mëdha.
PS garon për t’i fituar 6 bashkitë. Ne konkurrojmë për të fituar në Shkodër. Jam prej muajit shtator drejtues politik në qarkun e Fierit dhe në mekanizmin e përdorur për të konsultuar, përveç konsultimeve të drejtpërdrejta, me shoqërinë civile, me sipërmarrjen, me fermerët, por në një mënyrë të përgjithshme dhe me popullin. Emrin do ta keni shumë shpejt, ditën e martë”, deklaroi Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb