Derbi dëmton Tiranën edhe në aspektin e lojtarëve. Majkëll Ngo, i cili u dëmtua në gju, do të duhet të operohet në gju. Sulmuesi i bardhebluve, sipas mjekëve, ka një dëmtim në menisk.

Kjo do të thotë se ai duhet të qëndrojë të paktën 3 muaj pushim para se të nisë stërvitjen. Lajmi i operacionit është konfirmuar nga mjekët e Tiranës, ndërsa nga ana tjetër po diskutohet se kur sulmuesi do të hyjë në sallën e operacionit.

Te bardheblutë duan që sulmuesi të operohet sa më shpejt. Në fakt, ata shpresuan se anglezi mund të kishte vetëm një hapje të qepjeve të operacionit të mëparshëm dhe mund të qëndronte tri javë pushim.

Një gjë e tillë nuk rezultoi e vërtetë. Tani Ngo do të operohet, me shumë mundësi këto ditë, ndërsa do t’i duhet të nisë stërvitjen në mars së bashku me skuadrën.

Humbje e madhe për bardheblutë që nuk do të kenë në dispozicion sulmuesin kryesor të skuadrës.

Merkatoja – Pas lajmit që Majkëll Ngo do të operohet në gju dhe do të mungojë të paktën tetë javë nga dita e operimit, te Tirana po mendojnë për afrimin e një sulmuesi. Si fillim duhet të merren me hapjen e merkatos dhe më pas të piketojnë lojtarët që mund të afrojnë.

Është e sigurt që anglezi nuk do të luajë deri në fund të marsit, sido që të shkojë situata e tij e riaftësimit. Tirana po hedh sytë në Maqedoni si merkatoja e vetme nga ku mund të merren lojtarë të mirë.

Tirana i druhet edhe largimit të Marsel Ismajlgecit që me shumë mundësi nuk do të jetë pjesë e Tiranës nga janari e në vazhdim. Prej asaj që mësohet, menaxherët e lojtarit do të sjellin një propozim për sportistin.

Janë tri kampionate ku mund të firmosë Ismajlgeci: Holandë, Kroaci ose Hungari. Bëhet fjalë për Ferencvaroshin, Fejnordin dhe një mes Hajdukut ose Goricës në Kroaci. Për momentin, nga bardheblutë pritet një vendim. Menaxherët e klubeve jo vetëm vazhdojnë të vlerësojnë mundësinë e një firme me lojtarin e Tiranës.

Nga ana tjetër, bardheblutë për këtë transferim janë të gatshëm, ndërsa bisedimet nisin nga 400-500 mijë euro. Me dy mungesa të mëdha, Tirana është e detyruar të hyjë në merkato. Qëllimi është i njëjtë: të afrojë sportistë në sulm.

Sezonin e shkuar Tirana mori dy sulmues, por vetëm Taulant Seferi doli një blerje e goditur, ndërsa Vairinen u kthye menjëherë nga erdhi.

Ngo
Ngo

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb