Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame doli dje para mediave për një problem të mprehtë të qindra qytetarëve që ka të bëjë me pallatet e braktisura. Lame tha se qeveria i ka dhënë zgjidhje një problemi të një çerek shekulli. Sipas tij, ALUIZNI ka hartuar një ‘listë të zezë’ të ndërtuesve që nuk kanë shlyer detyrimet dhe kanë mashtruar qytetarët.

Por sot Drejtoria e Përgjithshme e këtij institucioni bën me dije në një njoftim shpërndarë në faqen zyrtare në Facebook se e kanë tërhequr për ta riparë këtë listë me 328 subjekte pasi sipas tyre, “jemi përballur me ankesa dhe vëretjtje nga subjekte të cilat kanë pretendime rreth përfshirjes në listë”.

NJOFTIM PER SUBJEKTET NDERTUES

Të nderuar ndërtues dhe qytetarë,
Siç jeni në dijeni, pas disa paralajmërimesh, dje ALUIZNI publikoi nismën e rradhës për të ndihmuar procesin e legalizimit të pallateve me shkelje në lejen e ndërtimit apo të braktisur nga ndërtuesit.
Lista paraprake e subjekteve ndërtuese me probleme, përmante 328 subjekte.
Gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, Aluizni është përballur me dy efekte. Nga njëra anë me përgëzimin e një shumice qytetarësh për këtë masë që ndihmon në zgjidhjen e problemit të tyre dhe, nga ana tjetër, jemi përballur me ankesa dhe vëretjtje nga subjekte të cilat kanë pretendime rreth përfshirjes në listë.
Lista paraprake e publikuar dje, rezulton të ketë disa pasaktësi për shkak të disa subjekteve të cilave nuk ju ka mbërritur njoftimi ynë për të vijuar procedurat e legalizimit, të tjerë që në vite kanë ndërruar emrat e subjekteve, të rasteve kur kanë bërë vetëdeklarimin pranë nesh banorët pa njoftuar subjektin ndërtues, të subjekteve të ndryshme por me emra të njëjtë apo të përafërt, të mungesës së adresave të sakta apo të ndryshimit të tyre, të komplikacioneve midis ndërtuesit – investitorit – subjektit etj, subjekte nënkontraktues që kanë paraqitur emra të subjekteve ndërtues, apo edhe për shkaqe subjektive të llojit që “s’janë paraqitur deri më sot se nuk i kanë marrë seriozisht thirrjet tona të deritanishme”.
Në këto kushte, ALUIZNI përpara se të përcjellë zyrtarisht listën përfundimtare, po ndërmer një kërkim të detajuar në bashkëpunim me të gjitha ato subjekte që po paraqesin vërejtjet e tyre.
Në fund të këtij procesi do të kemi një listë përfundimtare të kolauduar, në të cilën do jenë reflektuar të gjitha ankesat që do të rezultojnë të drejta, si edhe do të shtohen ato subjekte që do të dalin të reja si problematike.
Bashkëlidhur do të listojmë edhe ato subjekte që do të rezultojnë të pastra, duke e shoqëruar këtë me ndjesën tonë për shqetësimin e krijuar.
Ftojmë të gjithë ato subjekte që kanë vërejtje apo sugjerime, të paraqesin përfaqësues të tyre pranë drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t në ditët në vijim.

Drejtoria e Përgjithshme

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: