Nuk mjafton të luash në Poloni për të luajtur kundër Polonisë… Dhe nuk është lojë fjalësh, por është historia e Ernest Muçit, djaloshit që po bën mirë me Legian e Varshavës, por Silvinjo e la në… listë pritjeje. “Doja të isha, por do të respektoj zgjedhjet e trajnerit. Ndoshta duhet të bëj më shumë” thotë ekskluzivisht Muçi për “Panorama Sport”. Një driblim me shumë klas, që nuk lë vend për polemika, por qartazi ai është një nga çuditë e listës së debutuesit Silvinjo. Në rrëfimin për gazetën sulmuesi 22-vjeçar thotë se tani është përshtatur mjaft mirë në Poloni dhe se Shqipëria ka shanse të mira që të fitojë sot.

Ernest, a jeni i mërzitur që nuk u thirrët nga Kombëtarja?

Të gjithë duan të luajnë me Kombëtaren, është ëndrra e çdo futbollisti. Por duhet të respektojmë zgjedhjet e trajnerit.

A e prisnit ftesën?

Natyrisht që po. Jo sepse luaj në kampionatin polak dhe duhet të isha doemos në një ndeshje si kjo, por ngaqë kam luajtur rregullisht dhe jam në formë të mirë. Megjithatë, është Silvinjo ai që vendos. Unë thjesht duhet të jap më shumë nga vetja dhe duhet ta bind atë në të ardhmen që të më ftojë në ekip. Mbase nuk është përzgjedhja e trajnerit problemi, mbase jam edhe unë ai që duhet të jap më shumë.

Si është atmosfera në Poloni pas humbjes që pësuan kundër Çekisë?

Jo edhe aq e mirë, por gjithsesi normale. Nuk e kanë bërë dramë të madhe, por natyrisht që nuk janë më si para Botërorit.

Pse?

Sepse edhe skuadra e tyre ka pësuar shumë ndryshime, por edhe humbja në start nuk i ka ndihmuar që të kenë një atmosferë elektrizuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb