Mëngjesin e të martës, pronari Meent Brunken po e priste të vinte në punë nëpunësin e tij nga Kosova Avni Mehana. Por, punëtori i tij nuk u paraqit. “E prita…por nuk erdhi”, thotë ai. Brunken i telefonoi më pas Mehanës por sërish asgjë. Pas pak kosovari e merr vet në telefon dhe i tregon se së bashku me familjen ndodhet në autobus dhe po i dërgojnë drejt aeroportit të Hanoverit, prej nga ku do të fluturojnë për në Kosovë, shkruan nwzonline.de.

Avni Mehana

Ky është fundi i rrëfimit gjerman për Avni Mehanën, 47-vjeçarin nga Kosova, i cili prej dy vitesh jetonte në Gjermani, ku kishte ardhur si refugjat, transmeton albinfo.ch. Ajo që e kishte bërë të njohur Avniun, ishte akti i tij i guximshëm, kur, më 28 shkurt kishte ndihmuar 15 fëmijë të tmerruar të dilnin nga autobusi i rrëzuar në një përrua.

Kjo e kishte shndërruar njeriun e qetë nga Kosova “Hero të ditës” në Gjermani. Nisur nga kjo rrethanë dhe nga fakti se ai punonte, pra nuk ishte i varur nga shteti, pritej me të drejtë që Avniu mbase të kursehej nga dëbimi në Kosovë.

Qytetarët e Ruhwardenit kishin nisur edhe aksionin kundër dëbimit. Por tash është vonë për gjithçka. Familja Mehana është dëbuar. Arsyeja: Kosova konsiderohet “vend i sigurt” dhe kjo nënkupton që pothuaj asnjë qytetar i saj nuk i plotëson kushtet ligjore për azil. Avniu pastaj,siç shkruan gazeta, nuk kishte ndonjë bazë politike në kërkesën e tij për azil.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: