TIRANË

Kryeministri Edi Rama është përplasur me gazetaren e politikës, Ambrozia Meta, gjatë konferencës për media, për listat e PS.

Rama u pyet nga gazetarja për largimin apo kandidimin në “vijën e zjarrit” të disa emrave të njohur të Partisë Socialiste, si Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati, etj. Kryeministri nisi të përgjigjet, por gazetarja e ndërpreu dhe kjo revoltoi Ramën, i cili e paralajmëroi me largim nga konferenca.

Në përgjigjen e tij, Rama iu kthye gazetares, duke i thënë se është praktikë ndërkombëtare ndalimi i hyrjes në konferencë të gazetarëve që nuk respektojnë rregullat.

“Një gjë nuk e negociojmë dot bashkë, që gazetarët pyesin dhe nuk janë këtu për të debatuar mbi përgjigjen. Dakord! Kjo është e panegociueshme. Nuk e negociojmë dot bashkë këtë.

Po të them diçka publikisht, është praktikë ndërkombëtare, që nga Shtëpia e Bardhë e në të gjitha selitë ku bëhen konferenca shtypi, ndalimi i hyrjes në konferencë i gazetarëve që nuk respektojnë rregullat. Nuk hyn te praktika ime që ta bëj për ty, por të lutem mos shkel rregullat”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb