Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u ka kthyer përgjigje akuzave të të ngarkuarit me punë në Vatikan, Visar Zhiti, të cilin e ka quajtur si “të paqëndrueshëm psiqikisht”.
Në një intervistë për “Panorama”, Nishani ka treguar për herë të parë edhe arsyet pse ka refuzuar të emërojë Visar Zhitin si ambasador në Vatikan.

“Arsyeja që nuk emërova Zhitin kishte të bënte me mosrespektimin e procedurës ligjore të propozimit nga qeveria, të deklaratave publike të papranueshme të Zhitit ndaj Kishës Katolike (për periudhën e inkuizicionit) dhe pas një takimi që pata në zyrën time konstatova një paqëndrueshmëri psikike të tij. Në këto kushte përdora të drejtën time kushtetuese për të mos e emëruar atë në postin shumë të rëndësishëm të ambasadorit”, ka thënë Nishani.

Referuar akuzave të forta të Zhitit, Nishani shprehet: Për fat të keq, nuk është hera e parë që i ngarkuari me punë i Republikës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë në Vatikan i drejtohet publikisht me fyerje, shpifje dhe akuza Presidentit të Republikës. Edhe në këtë rast, këto akuza janë monstruoze dhe tashmë ne kemi përgjegjësinë t’i japim mundësinë t’i provojë në mënyrë të ligjshme këto akuza në mënyrë që edhe vendi të shpëtojë nga një president, i cili paska qenë “vegël e mekanizmit të shtypjes së diktaturës” dhe “persekutor” në këtë vend.

Kreu i shtetit ka treguar dhe për arsyet që e shtynë të dekretojë Fatmir Xhafajn si ministër i Brendshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb