TIRANË

“Jam arrestuar 24 vjeçe dhe jam dënuar me 20 vite burg nga gjykata për mashtrim”. Kështu e nis rrëfimin nga burgu i grave në “Ali Demi”, një tjetër vajzë e re që pas ndryshimeve në ligj, mori një tjetër dënim, disi më lehtësues por sërish i rëndë.

Në emisionin “Dritare me Rudinën” në News24 ajo rrëfen se Apeli e dënoi me 10 vite dhe tani i kanë mbetur më pak se gjysma për të vuajtur. Vajza kërkon një përgjigje përse nuk mund të ketë rrethana lehtësuese për të, për shkak të moshës dhe të mos e kalojë rininë në burg, kur këmbëngul se është dënuar nga prokurorë e gjyqtarë të korruptuar.

“Faleminderit që na nderuat me ardhjen tuaj. Dëgjova edhe pjesën e vetingut. Është vërtët për të ardhur keq se ne jemi dënuar nga ata që janë larguar. U votua ligji në parlament, dhe mashtrimi u la për 5 deri në 10 vjet. Prapë apeli më la dënimin maksimal 10 vite. Për mua si vajzë e re nuk kishte asnjë lehtësim? Ne vijmë nga familje shumë të varfra. Ata që na kanë dënuar ne, janë vërtetë shumë të korruptuar.
Mua nuk më kanë kërkuar para sepse e dinin se isha shumë e varfër, prindërit në pension. Mos të ndryshohej neni si mund të bëja unë 20 vite burg. Unë isha 24 vjeçe kur u dënova. Tani kam edhe 4 vjet e 8 muaj për të vuajtur.
Ai personi që pretendon se e kam mashtruar është shumë më i fuqishëm se mua, ndaj unë qëndroj këtu”, tha vajza.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb