Inês B. Marinho ishte duke mbaruar turnin e punës në një kafene në Lizbonë, kur telefoni i saj mobil dha sinjalin se kishte marrë një mesazh. Tek ky mesazh asaj i thuhej për një video që përmbante xhirime intime të saj dhe që qarkullonte në internet.

“Unë ngriva dhe u mërzita shumë”, kujton Marinho. “Shkova menjëherë në shtëpi, për të qenë pranë familjes.” Kjo ka ndodhur tre vjet më parë. Në atë kohë portugezja Marinho ishte 21 vjeç.

Pa dashur në një platformë pornografike

“Dikush, tek i cili unë kam pasur besim, pati shpërndarë me emrin tim një video timen intime. Videoja mund të shihej në platforma të ndryshme pornografike dhe përfundoi viral në Twitter dhe Telegram. Ky rast më tronditi shumë,” thotë ajo në bisedë me Deutsche Wellen.

Nocioni “Sextortion” është krijuar nga bashkimi i fjalëve sex dhe “extortion”, që anglisht do të thotë ushtrim presioni. Tek kjo formë ushtrimi presioni, kriminelët kërcënojnë me shpërndarjen e videove ose fotografive të viktimave, që shfaqen në situata kompromentuese.

Sipas policisë, këtu mund të bëjnë pjesë xhirimet fshehurazi në kabinën e zhveshjes ose ushtrimi i presionit me ndihmën e selfive të bëra për të flirtuar: Ky nocion përmban rastet e ngritjes së fundit, “Upskirting””, pra fotografi apo video që bëhen duke e mbajtur kamerën poshtë fundit dhe që lëshohen në internet dhe shpërndahen pa aprovim.

Marinho është një nga shumë viktimat e “Sextortion”

“Pasi pashë videon online unë shkova direkt në polici, për të ngritur padi. Policët donin të ndihmonin, por ishin të pasqaruar. Sot, tre vjet më vonë, rasti është ende i pambyllur”, thotë Inês Marinho.

Sa shpesh ndodh keqtrajtimi seksual me fotografi?

Më shumë se gjysmë milioni rastesh ushtrim presioni digjital ka regjistruar vetëm në muajin janar 2021, Avast, një kompani kryesuese në gjithë botën për zgjidhjen e problemeve të sigurisë digjitale dhe sferës private.

Pjesa më e madhe e këtyre sulmeve kishin si synim konsumatorët anglishtfolës në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Por edhe në Gjermani u bllokuan 12.400 sulme, në Zvicër 8700 dhe në Austri 2100.

Sipas një studimi të HateAid, qendrës së parë këshillimore gjermane për luftimin e urrejtjes në internet, gratë në BE kanë shumë frikë se mos sulmohen online. 30 përqind e tyre kanë frikë se mos fotografi të tyre nudo ose intime, të vjedhura apo të fallsifikuara shpërndahen në internet pa aprovimin e tyre.

“Shumë gra nuk e dinë që janë kthyer në viktima të shpërdorimit seksual bazuar tek imazhet,” thotë në bisedë me Deutsche Wellen, Clare McGlynn, profesore e të drejtës në Universitetin e Durhamit. “Në disa vende si Korea e Jugut bëhen fotografime të grave në banja ose kabinat e zhveshjes dhe lëshohen në platformat pornografike pa dijeninë e tyre. Ekziston pra edhe një pjesë e fshehtë e keqpërdorimit, gjë që është kthyer në problem serioz”.

Shpërndarje e herëpashershme

Marinho shpjegon, se edhe video e saj është shpërndarë më tej në platforma të tjera të mediave sociale. “Unë i shkrojta twitterit, ata e fshinë videon time. Por Telegram tha, se nuk është përgjegjëse e përmbajtjeve që shpërndajnë grupe të ndryshme. Ajo shpjegon se video e saj është shpërndarë nga shumë grupe, mes të tjerash edhe një grup që e quan veten „porno hakmarrjeje”. Sipas Josephine Ballon, drejtueses së sektorit ligjor të HateAid, është e rëndësishme që të trajtohet problemi i rishfaqjes së imazheve në platformat online, në mënyrë që lufta kundër keqpërdorimit seksual të jetë efektive.

“Problemi është se imazhet kapen nga shumë algoritme, lëshohen në internet dhe shpërndahen herë pas here, nganjëherë edhe një vit rresht,” thotë ajo për DW. “Unë njoh viktima që kërkojnë vetë në google për të parë nëse imazhet janë shfaqur sërish.”

Disa prej tyre marrin e-maila dhe mesazhe nga njerëz që i kanë parë imazhet e tyre dhe bëjnë komplimenta. Pasojat: „Viktimat nuk e harrojnë kurrë këtë keqtrajtim dhe mbeten të traumatizuar,” thotë ajo.

“Unë dua të bëj jetë normale”

Megjithë përvojën negative Inês B. Marinho nuk e ka kufizuar prezencën digjitale. “Unë e kam mbajtur profilin tim në mediat sociale dhe nuk kam shkuar asnjëherë offline, sepse mendoj se jam mjaft e fortë për të trajtuar këtë krim,” shpjegon ajo. “Unë vazhdoj të vishem si dua, dhe postoj imazhe të miat ku kam veshur funde dhe fustane që më pëlqejnë mua. Unë dua të bëj një jetë thjesht normale.”

Ndërkohë Inês B. Marinho është 24 vjeç, dhe është kryetare e shoqatës “Não Partilhes” (Mos shpërnda më tej), të krijuar në maj 2021. Organizata ndihmon në Portugali viktimat e keqpërdorimit të bazuar tek imazhet. Në llogarinë e saj në Instagram ajo jep mes të tjerash këshilla se si mund „të pengohet dhënia e pushtetit mbi imazhin një personi tjetër.”

“Nëpërmjet organizatës sime unë shkoj në shkolla në Portugali dhe flas me fëmijët për përvojat e mia dhe se si çdo njeri mund të luajë rolin e tij në luftimin e këtij keqpërdorimi. E rëndësishme është që të mendohet se kushdo mund të bëhet viktimë e një keqpërdorimi të tillë. Por ne nuk jemi vetëm në luftën tonë për drejtësi dhe siguri”, thotë ajo.

Në Gjermani, organizata Juuuport ndimon viktimat e mobit në internet, cybermobbing, sextortion-it dhe urrejtjes në rrjet. Ekspertët e kësaj organizate thonë: „Ne na duhet më shumë siguri në rrjet. Ofruesit e ofertave online duhet të ushtrojnë kujdes, që fëmijët dhe të rinjtë të mbrohen më mirë.”

Brukseli kërkon të kontrollojë koncernet digjitale

Pikërisht këtë gjë kërkon të arrijë tani BE, do që shtojë detyrimet për platformat që të luftojnë më mirë urrejtjen dhe nxitjen e urrejtjes në rrjet. Më 20 janar Parlamenti Europian ra dakord për të përcaktuar një pozicion të përbashkët për bisedimet që pritet të zhvillohen mbi të ashtuquajturën Digital Services Act (DSA) me vendet e BE-së.

Alexandra Geese, anëtare e Parlamentit Europian dhe një nga kryesueset e bisedimeve të DSA i tha Deutsche Welles: „Me DSA viktimat do ta kenë më të lehtë që të largojnë këto imazhe nga platformat online, sepse ekziston mundësia e një procesi anonim identifikimi. Viktima mund të shkojë online, të tregojë fytyrën dhe t`i kërkojë platformës të shuajë imazhin.”

Por organizata HateAid thotë se kjo iniciativë nuk mjafton: Vërtet që projektligji ofron „një shans historik”, për të luftuar me efektivitet fyerjet dhe urrejtjen si dhe formave të tjera të dhunës digjitale. Megjithatë mungon aksesi tek drejtësia ose një komunikim më i thjeshtë me platformat./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb