Shtatë persona humbën jetën e katër të tjerë u lënduan, pasi një makinë me targa serbe, në të cilën ndodheshin refugjatë e migrantë, u përplas në një shtëpi në Hungari.

Aksidenti ndodhi më 13 dhjetor, pasi shoferi refuzoi të ndalet për kontrolle rutinore, njoftoi policia.

Shoferi dalloi që policia është duke kontrolluar makinat në fshatin Morahalom afër kufirit me Serbinë dhe tentoi të shmangë patrullën, njoftoi policia, raporton agjencia Reuters.

Makina, në të cilën ndodheshin 10 persona, u nis në drejtim të qytetit Segedin dhe si pasojë e shpejtësisë së madhe goditi shtëpinë dhe u rrotullua.

Policia njoftoi se shoferi, i cili po ashtu u lëndua në aksident, u arrestua dhe ndaj tij do të fillojnë procedurat penale.

Ai pritet të akuzohet për tregti me qenie njerëzore dhe shkaktim të aksidentit me fatalitet.

E ashtuquajtura Rruga ballkanike drejt shteteve më të pasura të Bashkimit Evropian vazhdon të shfrytëzohet nga refugjatët dhe migrantët, të cilët i ikin konfliktit, luftës, vështirësive ekonomike apo përndjekjes në vendet e tyre.

Numri i migrantëve, të cilët hyjnë në Bashkimin Evropian duke kaluar kah shtetet e Ballkanit Perëndimor, pothuajse është dyfishuar gjatë këtij viti, njoftoi në gusht Agjencia evropiane për kontrollimin e kufijve, Frontex. Shumica e migrantëve vijnë nga Siria dhe Afganistani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb