Një 49-vjeçar shqiptar është gjetur i pajetë në banesën e tij në Itali. Mediat fqinje raportojnë se shqiptari është dhunuar për vdekje brenda banesës së tij në Roça Priora, në Via Sassone.

Alarmi është dhënë nga gruaja e viktimës, i identifikuar si Petrit Caka rreth orës 11:00 të mëngjesit të djeshëm. Viktima, babai i tre fëmijëve ishte i njohur dhe i respektuar në lagjen ku banonte. Shqiptari u pa në supermarket pak minuta para se të vritej.

Në vendngjarje shkuan menjëherë karabinierët e komandës Frascati, të cilët nisën të kryenin konstatimet e nevojshme. Po ashtu janë duke u kontrolluar edhe kamerat e vëzhgimit në zonë.

49-vjeçari Petrit Caka kishte shoqëruar fëmijët e tij në shkollë mëngjesin e djeshëm, ndërsa gruaja kishte shkuar të punonte si punëtore shtëpiake. Ishte ajo që e gjeti të pajetë të shoqin në banesë, ndërsa dha alarmin në polici. Mes pistave që po heton policia është se shqiptari mund të jetë vrarë për ndonjë borxh.

Për të zbuluar kontaktet e fundit të tij karabinierët po analizojnë thirrjet telefonike të Petrit Cakës. Në banesë nuk janë gjetur shenja të hyrjes me forcë dhe ekziston hipoteza se viktima e njihte vrasësin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: