Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në qytetin e Kuçovës. Një 57-vjeçar është arrestuar nga policia pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht prej 2-vjetësh me një vajzë të mitur 10-vjeçe. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “1 Maji” në Kuçovë, në banesën e 57-vjeçarit Ajet Dume, ku jetonte edhe familja e vajzës prej 3 vitesh. Lajmi eshte bere i ditur per BalkanWeb nga gazetarja Eneida Petova.

Të shpërngulur nga një fshat i Skraparit, familja e 10-vjeçares ishte vendosur në dy dhoma në ruajtje, në pronësi tē 57-vjeçarit dhe banesat ndodheshin të dyja në të njëjtin oborr. Burime të brendshme pranë DPV Berat bëjnë me dije se vajza 10-vjeçe me inicialet A.D, gjatë denoncimit të kryer sot në polici, ku ishte e shoqëruar nga prindërit dhe një psikologe, ka shpjeguar gjithë historinë e abuzimit 2-vjeçar.

Pas denoncimit të bërë, minorenia 10-vjeçare është dërguar për një vizitë mjeko-ligjore, nga e cila ka rezultuar se mbi të është abuzuar në mënyrë sistematike. Pasi ka kryer të gjitha veprimet e para proceduriale, policia e Beratit ka arrestuar sot 57-vjeçarin Ajet Dume, nën akuzën e “Marrëdhënieve seksuale me të mitura”. Tashmë i takon organit të Prokurorisë së Rrethit Berat, të hetojë ngjarjen e rëndë dhe të zbardhë të gjithë dinamikën e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb