Mediat në Kosovë raportuan sot se deputetit i PS-së i Qarkut Lezhë, Eduart Ndocaj i njohur ndryshe si “Kaubojsi” është rrahur keq nga dy persona në fshatin Landovicë, afër qytetit të Prizrenit. Kështu shkruante ndër të tjera portali Blic, që pretendon se autorët e agresionit kanë qenë dy trafikantë.

“Ndocaj ka qenë në Pejë dhe duke u kthyer nga Peja, është ndalur në Landovicë të Prizrenit. Aty e kanë rrahur dy persona, që janë të njohur për Policinë si persona të dyshuar për trafikim me narkotikë”, – tha ky burim i Gazetës Blic brenda Policisë.

“Personat që kanë sulmuar deputetin shqiptar janë të njohur për Policinë”, – shkruan Gazeta Blic.
“A.V nga Kukësi, me banim në Prizren dhe I.B nga Prizreni”, – tha burimi. Portali thekson se bashkë me deputetin Ndocaj, në veturë ka qenë edhe këngëtarja e njohur E.A., një personazh i njohur nga Shqipëria. Nga policia ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht rastin.

Nga ana tjetër deputeti Ndocaj tha për “Balkanweb” se ka qenë në Kosovë, saktësisht në Pejë më 25 shtator dhe ka ndenjur gjysmë dite pasi i është dhënë çmimi ‘Politikani i vitit” në një spektakël. Por ai mohon çdo informacion tjetër dhe se mund të ketë pasur përplasje.

“Kam qenë në Kosovë por nuk kam pasur asnjë përplasje fizike. Kam marrë çmimin “Politikani i vitit” në Pejë në një spektakël. Kam pirë kafe me një gazetar dhe asgjë më tepër. Nuk më ka dalë asnjë person përpara, është mashtrim. Kam qenë me këshilltarin tim dhe shoferin”, – tha Ndocaj për “BalkanWeb”.

I pyetur nëse ky lajm ka sjellë ndonjë shqetësim në familjen e tij, Ndocaj tha se nuk ka pasur asnjë lloj reagimi pasi ky është një mashtrim. “Nuk kam pasur asnjë shqetësim nga familja sepse është mashtrim. Është sulm politik”, – deklaroi Ndocaj për “BalkanWeb”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb