Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në Kroaci, ku drejtuesi i një mjeti ka ushtruar dhunë ndaj një të moshuare e cila ishte duke kaluar rrugën, për shkak se sipas shoferit ajo po ecte shumë ngadalë.

Shoferi i makinës ka rrahur rëndë 78-vjeçaren që ishte në lëvizje, e cila ka përfunduar me lëndime të rënda trupore dhe menjëherë është dashur t’i nënshtrohet operacionit në spitalin e Zagrebit, raporton Index.hr.

“Shoferi 38-vjeçar ka kryer një vepër penale ndaj një personi në moshë të shtyrë, padyshim me gjendje jo të mirë shëndetësore, pasi 78 vjeçarja ecte me bastun”, tha prokuroria.

Prokuroria deklaroi se drejtuesi e mjetit nuk i ka mbajtur nën kontroll emocionet e inatit dhe tronditjes e për pasojë ka ndaluar mjetin. Më pas ai doli nga automjeti dhe në vend që të konstatonte nëse viktima kishte nevojë për ndihmë, ai e sulmoi fillimisht verbalisht e më pas edhe fizikisht.

Shoferi e ka goditur gruan me shkop disa herë në të gjithë trupin e më pas e ka shtyrë me të dyja duart. Më pas e moshuara ra në tokë dhe pësoi një dëmtim shumë kompleks nga një frakturë e bazës së qafës së femurit të majtë.

“Për fat të mirë, është shmangur një pasojë më e rëndë”, thanë prokurorët.

Shoferi u shpall fajtor dhe u dënua me një vit liri me kusht. Prokurorët apeluan dhe kërkuan dënim me burg të pakushtëzuar, duke qenë se shoferi ishte dënuar më parë për kundërvajtje të shumta në trafik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb