Një turiste gjerman ka humbur jetën në kanionin e Langaricës në Përmet.

Burime nga vendngjarja konfirmojnë se shtetasja e huaj, 66 vjeç, kishte shkuar në zonë për të eksploruar kanionin në fjalë së bashku me bashkëshortin e saj.

Dyshohet se ka qenë rrjedha e rrëmbyer e krijuar nga reshjet e shiut ajo që i ka marrë jetën turistes, ndërkohë bashkëshorti i saj ka arritur të dalë në breg.

Policia është në vendngjarje dhe po punon për shpëtimin e turistëve të tjerë në rrjedhë.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Përmet.

Përmet/Informacion paraprak

Rreth orës 18:25, shtetasi gjerman F. W., 72 vjeç dhe bashkëshortja e tij, shtetasja gjermane A. S., 66 vjeçe, kanë qenë duke vizituar me këmbë kanionin e Langaricës, Përmet.

Për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, shtetasen A. S. e ka marrë rrjedha dhe për pasojë është mbytur, ndërsa bashkëshorti i saj ka mundur të dalë në breg.

Shërbimet e Policisë dhe ata të zjarrfikëses kanë nxjerrë nga uji trupin e pajetë të shtetases A. S.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: