Organizata Botërore e Shëndetësisë jep alarmin se furnizimi jetik me oksigjen për pacientët e sëmurë me koronavirus, por edhe me sëmundje të tjera kritike, në Ukrainë, po pakësohet në mënyrë të rrezikshme.

Shkak për këtë, thekson OBSH, është bërë lufta nga Rusia, që ka hyrë sot në ditën e pestë. Kamionët nuk kanë qenë në gjendje të transportojnë furnizime nga fabrikat në spitalet e Ukrainës, duke bërë që rezervat e disponueshme mund të mbarojnë brenda 24 orëve të ardhshme, raporton “BBC”.

OBSH ka njoftuar se po punon me partnerët për të marrë dërgesa urgjente oksigjeni përmes Polonisë. “Situata e furnizimit me oksigjen është afër një pike shumë të rrezikshme”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, dhe drejtori rajonal i OBSH për Evropën, Hans Kluge.

OBSH tha se disa fabrika prodhuese në Ukrainë po përballen gjithashtu me mungesë të zeolitit, një produkt kimik thelbësor, që nevojitet për të prodhuar oksigjen të sigurt mjekësor. Shërbimet spitalore janë gjithashtu nën kërcënim nga mungesa e energjisë elektrike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb