Deputetja e PD, Jorida Tabaku, e ka cilësuar vendim të papërgjegjshëm dhe abuzim ndërprerjen e kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike nga kompania aktuale, dhe krijimin e një kompanie shtetërore.

Në një reagim të bërë në Twitter, ajo shprehet se të dhënat personale të ruajtura dhe mirëmbajtura nga qeveria shqiptare janë përdorur për qëllime elektorale, apo janë hakeruar, vendimi i qeverisë që ky shërbim të jepet nga shteti është i “rrezikshëm për sigurinë kombëtare”.

Reagimi i plotë:

Pasaportat e shqiptarëve në duart e specialistëve patronazhistë!

Ndërpreja e kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike nga një kompani e njohur dhe krijimi i një kompanie shtetërore për prodhimin e tyre është vendim i papërgjegjshëm & abuziv.

Në kushtet kur të dhënat personale të ruajtura dhe mirëmbajtura nga qeveria shqiptare janë përdorur për qëllime elektorale; në kushtet kur sistemet e sigurisë janë treguar të dobëta dhe të pasigurta dhe pavarësisht investimeve të larta siguria e sistemeve është cënuar rëndë;

Në kushtet kur eksponentë të policisë janë akuzuar për lidhje kriminale; vendimi i qeverisë që ky shërbim të jepet nga shteti është i rrezikshëm për sigurinë kombëtare!

Ruajtja e këtyre të dhënave sensitivie, aftësia që në rrjet të mos penetrojnë persona me rekorde kriminale për të cënuar një nga sisteme që ka rezultuar deri më sot më i sigurti si dhe shqetësimi për përdorime elektorale ashtu si ka ndodhur më parë duhet të jenë tema debati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb