Teksa dëgjon Eridën duke folur të duket sikur po tregon për pushimet verore që i kaloi tek gjyshërit. Nje ndarje pak e dhimbshme që është kompensuar nga pritja e ngrohtë që iu bë. Erida u largua nga familja, por jo për pushime. Ajo nuk shkoi te gjyshërit, por tek një familje tjetër. Më e madhe se familja ku kaloi vitet e para të jetës. Shtëpia e saj e re u bë SOS. Fshati i fëmijëve që mbeten pa kujdesin prindëror. Por Erida është një vajzë e fortë dhe jetën s’mund ta shohë ndryshe veçse si një mundësi për të qenë vetja më e mirë.

Ishte 10 vjeç kur doli nga shtëpia e prindërve, nuk kishte fuqi e dhimbje të mendonte për veten. I ati i vdiq e nëna nuk mund të ishte më me të, duhet të shtrëngonte fort të vëllanë, 5 vite më të vogël se ajo dhe të thante lotët. Tashmë jeta për të kishte rinisur. SOS e bëri të ndihej si në shtëpinë e saj që prej ditës së parë kur shkelën aty.

Erida nuk qe kurrë e vetme në SOS, veç të vëllait ajo gjeti familjen aty. Ishte nënë Esma, dora e ngohtë e një nëne. Për dikë teze, e për të tjerë nënë, Esma ishte kraharori ku vogëlushët e fshatit SOS mbështetën kokën për të qarë apo ëndërruar.

Erida gjeti një nënë, por ishte edhe vetë një e tillë.  “Çfarë kam bërë unë gabim që im vëlla nuk po bën atë që kam dashur unë”, pyeste veten ajo në momente të vështira. Dënonte veten që nuk mund të ishte nëna që rriste dhe edukonte të vëllanë.

Teksa Erida rrëfen duket sikur jeta e saj ka qenë vetëm pranverë. Vështirë shumë të gjesh ankesa në fjalët e saj. E kur i kërkon të flasë për një moment të keq, siç ne të gjithë kemi pasur në jetë, ajo sërish e relativizon. Frika se mos familjarët harronin të vinin ta takonin ndonjëherë e trembte. Pritja bëhej më e gjatë kur njerëzit me të cilët e lidhte gjaku, do të shfaqeshin në pragun e portës së shtëpisë fort të dashur për të. Por ata vinin dhe Erida nuk e pati një ditë të keqe. Me mall e nostalgji kujton vetëm ditë të mira.

4 vite jetë në fshatin SOS kaluan shpejt. Ajo iku e mërzitur prej aty, jo vetëm se kaloi ditë të lumtura fëmijërore por edhe se po linte pas të vëllanë. Ndarjen me prindërit e kishte lënë pas, por të vëllanë s’mund ta lëshonte. Me mërzi u largua drejt shtëpisë rinore, por gjysmën e zemrës e la aty. Vinte shpesh për të takuar të vëllanë, deri sa u bashkuan sërish.

Në moshën 14-vjeçare, Erida u dërgua nga fashti SOS në shtëpinë rinore. Vijoi gjimnazin si të gjithë moshatarët e saj. Jetonte së bashku me motra dhe vëllezër, siç i quan ajo. Adoleshenca e saj qe e mbushur me aktivitete argëtuese, studim dhe përgjegjësi. I mësuan të gatuajnë, të bëjnë vetë pazaret dhe të kujdesen për higjenën. Kur i vëllai u ribashkua me të jeta u bë sërish e bukur.

Fshati SOS i mbështët pa kushte të rinjtë edhe pasi largohen prej aty, sidomos kur duan të studiojnë. Erida ishte një prej vajzave më studioze. Falë aftësive të saj arriti që prej tre vite të mbajë falas bursën sociale që i ofroi UET. Ajo sot vijon studimet master në degën Psikologji. Deri në dhjetorin e këtij viti kur dhe përfundon studimet fshati SOS do ta mbështesë monetarisht.

Sot është 23 vjeç. Para disa javësh Erida pati një takim me komisionerët europianë në Bruksel. Ishte e dërguara e fshatit SOS, e vetmja nga Shqipëria.  Flet disa gjuhë të huaja dhe është e punësuar në një agjenci imobilare. Është krenare për të vëllanë që tashmë është djalë i mbarë. Tashmë jetojnë bashkë më gjyshen.

Në buzqëqeshjen dhe energjinë e saj pozitive nuk lexon asnjë shenjë të jetës së vështirë fëmijërore. “Gjithmonë duhet të dish nga ke ardhur”, rrëfen ajo ajo, ndërsa flet për ëndrrat e mëdha që ka. Është e qetë dhe përgjegjshme, të mbush me shpresë. Besojmë fort në ëndrrat e saj, ëndërrojmë bashkë me të. Erida e meriton.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb