Viti 2020 ishte i vështirë dhe me gjasë i tillë do të jetë deri në mbyllje të tij. Arsyet janë të njohura. Në ketë shkrim nuk do të analizoj ndikimet e dy krizave të njëpasnjëshme, tërmetit të fundvitit të kaluar dhe pandemisë së këtij viti. Këtë herë dua ta hedh vështrimin drejt të nesërmes, e pse jo edhe tek fakti që 2 krizat e fundit me potencialin e tyre të fshehur, mund e duhet të gjenerojnë ndryshime e transformime të nevojshme, që i japin hov pozitiv perspektivës socio-ekonomike në vend, dhe ushqejnë edhe besimin qytetar te politika si një forcë dhe instrument që garanton progres.

Për disa ndoshta e ardhmja e afërt apo afatmesme duket pesimiste, sidomos në një përiudhë kaq të pazakontë që e gjithë bota po kalon. Për disa të tjerë mund të ngjajë më optimiste. Ajo që është e rëndësishme në çdo rast, është vlerësimi realist që duhet t’iu bëjmë situatave të vështira në raport me fuqinë që politika bart, për të administruar sa më mirë daljen nga krizat që prekin shëndetin e shoqërisë dhe shëndetin e ekonomisë. Por jo vetëm kaq. Patjetër duhet të vlerësojmë më së pari fuqinë e saj për të prodhuar më shumë siguri dhe rezultate të prekshme për qytetarët, të cilat kanë efekte e qëndrueshmëri afatgjata. Sidomos për të rinjtë, të cilëve iu duhet shtruar udha e besimit dhe vetëdijes për t’u arsimuar dhe investuar në vendin e tyre.

Stina që po vjen përkon me hyrjen në një vit elektoral. Për rrjedhojë, polarizimi politik deri në prillin e vitit tjetër do të theksohet. Palët do rishfaqen me pozicionet e tyre në skenën politike, duke ballafaquar jo vetëm vizionet, pikëpamjet dhe idetë, por edhe alternativat e përfaqësimit politik.

Fatmirësisht, mbyllja e sezonit të fundit legjislativ prodhoi një ndryshim të shumëpritur, të cilin në fund bënë sikur e përqafuan edhe ata që në Këshillin Politik nuk e dëshironin. Hapja e listave që iu mundëson qytetarëve zgjedhjen e kandidatit më të preferuar, është padyshim hap pozitiv drejt forcimit të lidhjes mes të zgjedhurit dhe zgjedhësve. Jo vetëm kaq. Kjo formulë “detyron” edhe forcat politike që të funksionojnë mbështetur në një sistem më efikas të përzgjedhjes së kandidatëve, duke filtruar me kujdes cilësitë e tyre dhe duke iu ofruar qytetarëve emra të merituar.

Këtu nuk e kam fjalën për ndonjë komision të stisur vlerësimi që bën sikur përzgjedh kandidatë, por për një vullnet të mirëfilltë politik, sidomos intelektual, që pasuron skuadrën e një force politike me personazhe të rinj, duke krijuar frymën e një bashkëjetese të shëndetshme mes atyre që kanë kontribuuar ndër vite e më të rinjëve (jo detyrimisht në moshë), që kanë të akumuluar energjinë dhe përvojën e mjaftueshme për të kontribuuar në vazhdim me përkushtim dobiprurës për kauza të përbashkëta. Gjithmonë kjo në funksion të një misioni dhe filozofie politike, që nuk është në kundërshtim me aspiratat dhe interesat kombëtare. Me këtë i referohem edhe “tymnajës” së përhapur rishtazi lidhur me detin nga disa aktorë tejet të konsumuar politikë, që për fat të keq me vendimarrjet e tyre në historinë qeverisëse të vendit kanë guxuar të kenë një rol protagonist deri kundër interesit kombëtar.

Fatmirësisht sot jetojmë në një kohë tjetër, ku shumë sfida dhe problematika të mëdha duhen vlerësuar edhe si mundësi për të shenjuar përfundimisht kahun e zhvillimit të vëndit. Ai mund të jetë dy llojesh në fakt. Kah progresit me punë e vështirësi, ose kah regresit pa punë e me shumë më tepër pasiguri për të ardhmen.

Një moment si ky për vendin, nuk duhet të jetë vetëm një pozicionim politik i mbështetësve apo simpatizantëve të palëve që do dalin si në çdo palë zgjedhje për të votuar edhe konvencionalisht në vazhdën e një tradite tre dekadëshe. Gjykoj se është sot koha për të treguar një pozicionim qytetar me thelb thellësisht shqiptar. Në periudha delikate për vendin kemi detyrimin moral të mos shpërdorojmë te drejtën për të shprehur vullnetin dhe pjesëmarrjen tonë në demokraci nëpërmjet votimit. Përkundrazi, gjykoj se kjo periudhë parazgjedhore është momenti i artë për të vlerësuar me mençuri përtej interesit të ngushtë vetjak apo pakënaqësive të grumbulluara nga arsye të qëna apo të paqëna.

Kjo është e domosdoshme më shumë se asnjëherë tjetër këtë herë, jo thjesht e vetëm për të garantuar hyrjen e pakthyeshme të Shqipërisë në familjen e shteteve që respektojnë me standart të lartë demokracinë, ligjin, balancën e shëndoshë mes pushteteve, por edhe për të ujitur gradualisht në mënyrë progresive kulturën emancipuese që çdo qeverisje duhet të sjellë me shembullin sesi i shërben qytetarëve dhe me mënyrën se si punon për të lënë të gdhendura histori suksesi që janë të prekshme e të jetueshme nga të gjithë.

Ndaj për hir të asaj ëndrre të bukur shqiptare që kumboi qysh tridhjetë vite më parë me zërin e fuqishëm të studentëve për “Shqipërinë si gjithë Europa”, kjo periudhë parazgjedhore është në vlerësimin tim një moment historik në rrugëtimin e vendit për të treguar se zgjuarsinë, pasionin dhe ndjeshmërinë dimë ta përdorim jo veç në funksion të të mirës individuale, apo paradoksalisht të ndonjë politikani a politikaneje, por edhe në funksion të së mirës së përbashkët që na krijon më shumë shanse për të jetuar në një realitet normal.

Vetëm kështu e shkuara nuk do mund ta tërhiqte dot pas vetes të ardhmen që meritojmë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: