Vetëm duke pasur para syve dështimin e plotë të Europës u ra dakord në Bruksel për masa urgjente në krizën e refugjatëve. Tani ato duhet të zbatohen, ndryshe Bashkimi Europian ndodhet vërtet në rrezik, mendon Bernd Riegert.

Vetëm me presion të madh, nën kërcënim dhe fyerje kundrejt njëri-tjetrit ia dolën të bien dakord krerët e qeverive të vendeve të itinerarit të Ballkanit Perëndimor për një sërë masash urgjente. Por sidoqoftë ata ranë dakord: Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ia doli mbanë me planin për dhënien fund të kaosit të turpshëm përgjatë itinerarit të refugjatëve. Ai është heroi i kësaj nate.

Debate disa orëshe
Fillimisht krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u morën me hedhjen e fajit njëri-tjetrit deri serioziteti i gjendjes i detyroi që pas disa orësh debati të ndërronin qëndrim. Jo vetëm që duhet përmirësuar gjendja e vështirë e mijëra njerëzve, por tani vetë uniteti në Bashkimin Europian është në rrezik. Nëse masat e planit të Junckerit nuk vihen në jetë brenda një kohe të shkurtër, atëherë merr fund besueshmëria e qeverive dhe KE-së .

Disa herë janë marrë vendime këto javë në samite të jashtëzakonshme, vendime që nuk kanë gjetur zbatim në praktikë. Plani i tanishëm i emergjencës është shansi i fundit për të vendosur nën kontroll gjendjen zemëruese në itinerarin e Ballkanit. Nëse vërtet do të ngriheshin 100.000 vende për akomodimin e shpejtë e të përkohshëm dhe regjistrimin e refugjatëve, ky do të ishte sukses i madh. Në të ardhmen nuk do të jetë më e mundur t’i lejosh të kalojnë refugjatët dhe t’ia hedhësh fajin vendit tjetër.

Greqia – rol kyç
Një rol kyç në këtë gjendje ka Greqia, sepse ky vend qëndron në fillim të itinerarit ballkanik, dhe ka bërë shumë pak për të plotësuar detyrimet e veta. Tani nuk vlen më shfajësimi prekës se kemi krizën ekonomike dhe Turqia e ka fajin. Kryeministri grek Aleksis Tsipras duhet të tregojë fakte. Në fund të fundit ai është tërësisht i varur nga premtimet financiare të europianëve.

Por më shumë probleme paraqet Hungaria. Kreu i qeverisë, Viktor Orban mori me të drejtë kritika të ashpra, kur me një qëndrim cinik, tha se ai është vetëm vëzhgues, sepse vendi i tij nuk ndodhet më në këtë itinerar. Edhe atij iu bë e qartë hapur se vendi i tij është një nga marrësit kryesorë të fondeve europiane. Diku duhet bërë i qartë kufiri moral. Izolim, mbyllje brenda vetes, mure – këto nuk janë receta europiane. Këtë e bëri të qartë edhe takimi i jashtëzakonshëm në Bruksel. Por sa kohë do të mbajë ky solidaritet i rigjallëruar me zor?

Problemi i kufijve të jashtëm
Kriza e refugjatëve nuk zgjidhet me samitin e BE-së me vendet e Ballkanit, ai nuk e ul dot fluksin e njerëzve, por shpreson vetëm ta bëjë odisenë e tyre më njerëzore. Së paku kalimi i njerëzve nga Greqia deri në Gjermani do të zhvillohet më me rregull. Tani këtu del problemi më i madh që ka kancelarja Merkel. Deri sa të mbrohen kufijtë e jashtëm të BE-së dhe refugjatët të regjistrohen, të marrin përkujdesjen në Greqi, Itali, apo të kthehen, do të kalojnë javë, ndoshta edhe muaj. Deri sa Turqia të ndjekë kursin që dëshiron Europa, mund të kalojnë po ashtu muaj. A mund të durojë kaq gjatë Gjermania, a mund të durojë Merkeli?

Sepse zinxhiri i itinerarit të Ballkanit funksionon për aq kohë sa Gjermania dhe disa shtete të tjera i pranojnë refugjatët në fund të tij. Nëse Gjermania e Austria i mbyllin kufijtë, në Ballkan shpërthen kaosi. Prandaj disa shtete e kërcënuan Merkeln hapur, se edhe ato do t’i mbyllnin kufijtë. Ata e bëjnë Merkelin personalisht përgjegjëse për shtimin e valës së refugjatëve. E kjo do të thotë se fundi i BE-së, ashtu si jemi mësuar ne ta shohim BE, do të ishte i pashmangshëm. Vendimet e natës së fundit ndihmojnë për një lehtësim afatshkurtër, po qe se çdo gjë shkon mirë. Prandaj ne duhet të punojmë me intensitet të lartë për një zgjidhje afatgjatë, jo vetëm për refugjatët, por edhe për hir të Europës.

(m.k/DW/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: