Policia greke ka reaguar pas vrasjeve të disa shtetasve shqiptarë në harkun kohor të disa ditëve në Greqi. Në një deklaratë për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë greke thotë se janë marrë të gjithë hapat e nevojshëm procedural dhe të gjitha ngjarjet janë zbardhur por pa u ndalur konkretisht tek secila prej tyre.

“Në lidhje me vrasjet e fundit të shtetasve shqiptare ne Greqi, bëjmë me dije se:
Për të gjitha rastet, policia greke ka nisur hetimet paraprake dhe ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme procedurale në bashkëpunim me prokurorinë, me qëllim zbardhjen e rasteve, krijimin e akuzave si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sqarojmë se të gjitha ngjarjet janë zbardhur”, deklaron Policia greke.

Policia Greke
Policia Greke

Katër shqiptarë janë vrarë në Greqi nga nëntori deri në mbrëmjen e kaluar, ndërkohë një i pestë vdiq në një aksident.

Mbrëmjen e kaluar 18-vjeçari Marios Isak u vra nga një bashkëmoshatar shqiptar, i cili ka pranuar krimin në polici duke thënë se e ka qëlluar gabimisht.

Më 26 nëntor Petrit Zifle, 63 vjeç u vra nga greku Dhimitris Kuris, një ekstremist i Agimit të Artë.
Më 22 nëntor Altin Mulla, 39 vjeç u vra në zonën e Pogonit, Janinë, në kufi sipas policisë greke gjatë një shkëmbimi zjarri mes disa trafikantëve të drogës dhe policisë greke. Më 25 nëntor një 35-vjeçar u gjet pa jetë në burgun e Trikalas.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb