*E thërret Prokuroria, Tom Doshi me makinë të blinduar mbërrin 90 minuta me vonesë për të dëshmuar

TIRANË- Plot 6 orë ka zgjatur rrëfimi i deputetit Tom Doshi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku dëshmoi mbi pretendimet për vrasjen e mbetur në tentativë të tij dhe të deputetit të PD-së, Mhill Fufi. Doshi mbërriti në Prokurori rreth orës 09:30, rreth një orë e gjysmë me vonesë dhe doli që aty pas 6 orësh (15:30) pa komentuar asgjë për mediat.

Mësohet se Doshi ka dorëzuar tek prokurorët e çështjes të gjitha provat që disponon, përfshi edhe video-regjistrimin prej 37 minutash, ku “atentatori” Durim Bami rrëfen gjithë të vërtetën e tij.

Duke treguar detajet e rrëfimit të Doshit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, gazetari i News24 Spartak Koka tha se, “Doshi ka dëshmuar se disponon videon prej 37 minutash e vënë në dispozicion ndaj organeve të hetimit. Të pranishëm gjatë seancës së marrjes në pyetje ishin edhe dy oficerë të sektorit të Krimeve të Rënda. Ndërsa mësohet se është larguar nga pjesa e parme e Prokurorisë, duke mos preferuar të japë deklarata për mediat, ndërkohë që gazetarët e prisnin nga pjesa e pasme, aty ku edhe hyri rreth 6 orë më parë”.
PROKURORIA: RAMA, META, BERISHA DHE TAHIRI TË JAPIN DEKLARIMET E TYRE
Ashtu sikundër ka deklaruar publikisht në media, deputeti Tom Doshi ka paraqitur përpara grupit hetimor provat që disponon, për të vërtetuar pretendimet se ndaj tij dhe deputetit Mhill Fufi ka patur një tentativë për vrasje. Burime zyrtare nga Prokuroria për Krime të Rënda bëjnë të ditur se në bazë të deklaratave të deputetit Doshi, konsiderohet e nevojshme marrja e dëshmive të zyrtarëve të lartë, për të cilët deputeti është shprehur se kanë dijeni për hetimin. Për këtë arsye Prokuroria për Krime të Rënda fton nesër zyrtarisht për të dhënë deklarimet e tyre lidhur me rrethanat e hetimit, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e kuvendit Ilir Meta, ministrin Tahiri, deputetin Mark Frroku, deputetin Mhill Fufi dhe prokurorin Eugen Beci. Po ashtu prokuroria fton të enjten për të dhënë dëshminë e tij edhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Në vijim të hetimit, do të ftohen nga Prokuroria për Krime të Rënda për të dhënë deklarimet e tyre edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
URDHER-PARAQITJA

Mbrëmjen e së mërkurës, Prokuroria i dërgoj një urdhër-paraqitjeje deputetit Doshi, i cili e detyronte që të paraqitej sot që në orën 8:00 të mëngjesit në organin e akuzës për të dëshmuar, për vrasjen e mbetur në tentativë. Sipas prokurorisë ai është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e kryerjes së veprës penale për qëllime të hetimit të “Procedimit penal” nr.63 të vitit 2015 për veprën penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” të mbetur në tentativë.

Po dje edhe vetë Doshi deklaroi se kishte kontaktuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe do të paraqitej sot për të dhënë provat e tij për këtë çështje. Paraprakisht Doshi publikoi në faqen e tij zyrtare të Facebook një pjesë të video-regjistrimit rreth 8 minuta, ku shfaqej Durim Bami, i ndaluar nga prokuroria pikërisht për “Vrasje të mbetur në tentativë”, të Doshit dhe Fufit.

 

TOMMM

 

(m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: