AFRIM IMAJ/ “Ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Reagimi i Bahri Omarit para skuadrës së pushkatimit, kishte tronditur rëndë Bedri Spahiun. Vegimi trishtues do t’i qepej në sy për ta lënduar heraherës si një plagë e hapur.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Do t’i kthehej e rikthehej atij momenti prokurori i kunatit të Enverit disa herë, sidomos gjatë viteve të burgut. “More, ç’bëmë? Pse i vramë?”, do pyeste veten netëve të gjata të qelisë. Mesazhi i fundit i Bahri Omarit, shokut të fëmijërisë, kishte qenë i fortë, si vetë karakteri i tij. I fortë dhe domethënës.

Kur bënte prokurorin, kishte pasur disa raste të tilla, por këtë herë, marrëdhënia e veçantë me viktimën, e bënte enigmën më komplekse. Gjithsesi, detyra e donte ta çonte deri në fund ballafaqimin me njeriun e afërt të Enverit që ishte shpallur rishtas armik i popullit. Bedri Spahiu që e njihte fort mirë logjikën e kohës, nuk mund të bënte ndryshe. Në ditarin e plotësuar gjatë viteve të burgut, ka me dhjetëra faqe me kujtime nga ditë-netët e përballjes me Bahri Omarin.

Dialogu mes tyre kishte nisur që në vitet e luftës, kur ndanin mendime të ndryshme për mënyrën e reagimit ndaj okupatorit dhe rasti e solli të mbyllej te vendi i ekzekutimit. Në shënimet e Bedri Spahiut, bie në sy dyzimi i tejskajshëm për të shkuar te vendimi fatal. “Një natë para ekzekutimit, shkruan ai, më erdhi në zyrë gruaja e Bahriut. Dukej e lodhur dhe e tronditur. “Kam marrë vesh se nesër do t’i pushkatoni” – tha ajo. Po, ju përgjigja, duke i kujtuar vendimin e marrë. “Edhe tim shoq?” -shtoi me lot në sy. Të gjithë, pa përjashtim, i thashë. “Mos! E tmerrshme! E gjora unë…” u shpreh ajo me ngashërimë. Nuk mund të bëhet ndryshe, e sqarova duke i vënë përpara dokumentin me firmën e Enverit që mbaja në sirtar. Aty për aty i lashë të kuptonte se vetëm firma e tij mund të bënte mrekullinë. Nuk dija ç’ti thosha tjetër dhe e përcolla. Të nesërmen ndodhi ajo që ndodhi…”

DITAR (BURREL-BËNÇË)
26 qershor 1968
Më erdhi në takim Preng Shoreti (nga Laçi). Është rast i jashtëzakonshëm të vijë në takim një i huaj, bile i tillë është edhe për njerëzit më të afërt. Prengën e kam pasur ushtar në batalionin Kosova në vitin 1934 në kazermat e Ali Rizait. Kam shkuar mirë me të, bile përtej marrëdhënieve të thjeshta epror-vartës. Në korrik gusht 44 e takova në Bari të Italisë. Në nëntor 44 u kthye në Shqipëri dhe erdhi e më takoi në Berat ku kishim bërë qendrën në pritje të çlirimit të Tiranës. Në vitin 1947 më erdhi në Prokurori dhe më kërkoi t’i jepnim leje për përdorimin e një pushke. Mbaj mënd që ja dhamë… 23 qershor 1968 Spartaku (djali i madhshënimi red.) ka ardhur ushtar në Burrel në repart pune. Jemi pra në një qytet, por shumë larg njeri tjetrit. Sot më erdhi në takim.

3 shtator 1968
Erdhi përsëri Prenga, megjithëse unë i kisha thënë të mos vinte. Tha se do të vinte përsëri, por më nuk u duk. Si e ka hallin?!

25 nëntor 1969
Dje nuk na nxorën për ajrosje. Edhe sot gjithashtu. Ndodhemi para festave të nëntorit. Sivjet festohet 25 vjetori i Çlirimit. Ajrosja në raste festash ndalohet. Këtë radhë kjo masë filloi më herët. Pas një të keqeje, prit edhe një të mirë. 24 nëntori na mbylli brenda, por 24 nëntori na solli duhan që kishim dy muaj pa të. Sot na erdhi dhe porosia tjetër: Erdhi vaji po nuk erdhi sheqeri e shkrepëset. Sot dëgjova emrat e Koço Tashkos dhe Spiro Lepurit…

8 dhjetor 1969

Është e hënë. Është dita më e mërzitshme e javës. Ditët e tjera vjen gazeta dhe thyhet monotonia e ditës. Pjesa e oborrit ku shëtis unë ka diell. Pjesa ku shëtitin pesë të dënuar të tjerë nuk ka diell, por ka vend për tu strehuar kur bie shi. Dielli dhe strehimi janë ndarë ndërmjet meje dhe atyre. Të mirat ndahen, ky është fakt, por na ruaj Zot sikur njeriu ta përgjithësojë.Jonuz Pirizua është i vetmi njeri që kam në birucë. Si njerëz nuk ja duam të keqen njëri-tjetrit. Si ish luftëtar të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare (qoftë edhe pse unë nuk e kam pas njohur) kemi një konsideratë të posaçme për njëri-tjetrin e megjithatë ne jetojmë duke i shkurtuar ditët (jetën) njëri-tjetrit se të dy jetojmë në një birucë të përbashkët. Është një shkurtim jete e ngadalshme, e qetë, uniforme. Në një anë vrasim njëri-tjetrin me gazin karbonik që lëshojmë dhe në anën tjetër përvetësojmë oksigjenin e kurbaturës së birucës. Është natë, sapo kaloi oficeri i rojës për apelin e mbrëmjes.

9 dhjetor 1969
Dëgjohen çelësat në dyer e gjitonëve. Është zgjimi. Dera e parë që hapet është e Niko Shollës. Është dënuar për vjedhje me 25 vjet. E kam njohur në kampin e Fushë Krujës. Në fillim dilnim për ajrosje në të njëjtën orë, pastaj Nikua nuk doli më në shenjë proteste pse nuk e çonin në kamp pune. “Jam, ordiner, thoshte, prandaj nuk mund të rri me armiqtë në një dhomë”. Ngrë batanijet. Një erë e qelbur shpërndahet nga trupi im i palarë që në verë. Ngre dyshekun dhe shikoj çimenton të lagur. Më kujtohet Vasil Partali në kaushin numër 5 të Tiranës. Kur pamë vendin e lagur një mëngjes kujtuam se mos kishte pshurrur natën pa e ndjerë.

I ramë në qafë të shkretit plak. Për një çast mbeti në pozitë të keqe se nuk kishte si e justifikonte atë lagështirë poshtë dyshekut të tij dhe ne nuk kishte si ta shpjegonim ndryshe. Tani unë e shpjegoj. Avulli i nxehtë i trupit kalonte nga dysheku në çimento, këtu ftohej dhe kondensohej në ujë. Në qoftë se për disa ditë rresht nuk i ngre teshat, dysheku kalbet. Nuk ka filluar akoma i ftohti i madh. Këtu në dimër temperatura arrin minus 15 gradë celsius. Kështu fillon zgjimi në birucë. Po çfarë është zgjimi? Nuk e kam fjalën për zgjimin e një populli a të një klase, por për të përmendurit e njeriut nga gjumi. Gjithkush mund t’i përgjigjet në mënyra të ndryshme. Fëmija kur përmendet sheh se është në prehrin e nënës.

I dënuari kujtohet se është dita e ekzekutimit. Dashnori kujtohet se është dita e martesës. Jonuzi me 80 vitet e jetës së tij kujtohet se qenka akoma gjallë dhe unë kujtohem se duhet zbrazur qypi i nevojës.. Dëgjoj llogaritarin Pandeli Zerecin që i kërkon leje rojës për të më futur brenda gazetën. Pas pak dëgjoj të hapet sporteli dhe të mbyllet përnjëherë. Brenda sportelit ka mbetur gazeta Zëri i Popullit, e datës 9 dhjetor 1969. E hap dhe lexoj në të për diktaturës e Frankos; “Madrid/ Gjashtë baskë që ndodhen në burgun e Burgasit shpallin grevë urie në shenjë proteste kundër keqtrajtimit të tyre dhe kundër urdhrit që i ndalon ata për të folur gjuhën baske gjatë takimeve me të afërmit e tyre.

25 dhjetor 1969

Erdhi Titi(djali i vogël) dhe më takoi në Burrel. Më lanë më në fund që ta puth nëpërmjet sportelit. Ishte i dobët sikur të ishte ngritur nga varri. Nuk kishte pallto të madhe dhe dridhej nga të ftohtit. Më tha se Nadua vazhdon të jetë sëmurë. Po të mendojë njeriu sa kanë vuajtur fëmijët e mi, po të mendojë privacionet e ushqimit, të veshjes në kushtet e dimrit, mungesat e tjera të strehimit, ilaçeve etj, duhet të çmendet në qoftë se nuk i pushon zemra nga dëshpërimi. Unë rezistoj dhe duhet të rezistoj. Si sot, në vitin 1964 më provokoi Skënder Shahollari (e kishin vënë sigurimsat) në burgun e Tiranës. Pikërisht për këtë i bëra letër njoftimi (promemorie) drejtorisë së burgut dhe Prokurorisë së Tiranës. Në këtë vit fillova të shkruaj testamentin që e përfundova dhe e nisa më 25 janar 1965. Si sot isha i izoluar në burgun e kalasë së Kaninës. Bënte tmerrësisht ftohtë. Isha vetëm. Hysen Backën me Nesim Starovën e kishin larguar në tetor. Tahir Demirin e kishin larguar para disa ditëve për në “spital”…

28 dhjetor 1969
Një çast po kujtoj vrasjen e Bahri Omarit. Ai para pushkatimit u thirri shokëve; “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Historia do të jetë përfundimisht gjyqtarja e epokës tonë, e asaj që bëmë mirë dhe e asaj që bëmë keq. Po historinë nuk mund ta shkruajmë tani për tani, kur jemi në peshën e efekteve emocionale. Madje për të as që do bëhet fjalë sa të jemi gjallë ne ish protagonistët e saj.

Historia e vërtetë do fillojë të shkruhet pas vitit 2044. Pra një shekull më vonë nga periudha e triumfit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo do të jetë historia që do të mbetet. E ka thënë mirë Bahri Omari. Unë si ish kundërshtar i tij, i shtrohem gjyqit të historisë, gjyqit të brezave që do të kenë lindur pasi të kenë kaluar 100 vjet. Unë për vete i shtrohem në mënyrë të pakondicionuar gjykimit të brezave të shekullit pasardhës dhe shpërfill çdo gjykim të njëanshëm dhe tendencioz të gjeneratës tonë…

VIJON…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb