Kryeredaktorja e News24, Anila Jole e ftuar në studion e lajmeve në News24 tregoi momentet si e njohu Kasem Hysenbelliun kur administronte grupin e madh mediatik të përbërë nga “News24”, “BalkanWeb”, “Radion Shqiptare” dhe “Gazeta Shqiptare”.

E tronditur nga ky lajm si të gjithë pjesëtaret e stafit me të cilët punoi e ndau idetë e tij në ato vite, Jole rrëfeu bashkëpunimin si korrespondente e Greqisë dhe momentin kur vendosi të rikthehej në Shqipëri dhe ku falë mikpritjes së Kasem Hysenbelliut iu hap sërish dera e News24.

“Jam e sigurt që të gjithë janë të tronditur si të gjithë ne që e nisëm ditën me këtë lajm kaq të trishtë. Ishte i ri, 59 vjeç Kasemi, kishte plane dhe ëndrra të tjera.
Unë isha në Greqi kur nisa të bashkëpunoja me News24, i shkrova atij, nuk e njihja, fillova komunikim virtual me të, ishte i interesuar për lajmet që sillja nga Greqia, interesi i tij ishte i jashtëzakonshëm. Kur erdha në Tiranë më priti personalisht. Më tregoi me krenari të ligjshme se si e kishte zhvilluar e çuar përpara News24. Aty kuptova se ai i mbështeste profesionistët, por edhe gazetarët e rinj që e donin profesionin. Njëkohësisht mbështeste risitë në teknologji dhe donte që News të ishte më i miri. Kur kthehem përfundimisht në Shqipëri i shkruaj sërish, i them që dua të punoj tashmë jo nga larg, por nga afër. Ai më mirëpriti, e vlerësoi eksperiencën time, më hapi derën dhe më vendosi në postin e kryeredaktores. I jam mirënjohëse, nuk do doja kurrë që ta kujtoja kështu… Ai njeri kishte intuitë të lindur për lajmin, me ne ishte si koleg dhe jo si një administrator.”,- tha Jole.

Ajo shtoi se zoti Kasem Hysenbelliu ishte një njeri i veçantë që nuk bënte kompromise kur në lojë vihej e vërteta.

“Mediat kanë ato politikat e tyre, ato censurat e tyre, por nuk mbaj mend që ai të na thoshte këtë lajm fute dhe atë jo. Ishte njeri shumë i veçantë. Është fatkeqësi që ai nuk e fitoi dot këtë luftë pavarësisht se u kurua në një spital mjaft të mirë në Stamboll me mjekë të shkëlqyer. Ai është nga ata shembujt që tregon se nëse në jetë bën mirë, lufton për një kauzë të mirë, do mbahesh mend, do lësh gjurmët e tua. I shprehim ngushëllimet më të ndjera familjes dhe sidomos vëllait të tij, Presidentit të Focus Media News, Irfan Hysenbelliut për këtë humbje, Kasemi për të ishte një vëlla i vogël që e donte shumë!”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb