Ish-këshilltari politik i mbretit Leka I, Murat Basha i ftuar në studion e emisionit “Open” ka deklaruar në lidhje me temën e marrjes së buxhetit të shtetit nga Mbreti Zog gjatë largimit të tij se ai kishte para dhe se në atë kohë vinte nga një nga familjet më të pasura.

Sipas tij ai nuk ka prekur buxhetin e shtetit dhe se për këtë rast ka një fakt dhe “dhjetë interpretime” duke iu referuar pretendimeve të ndryshme mbi historinë.

“Mbreti Zog ishte nga familjet e pasura të kohës, kishte para. Dhe ato para i mori gjithsecili me vete kur iku, pse themi ka marrë paratë e buxhetit. Nuk ka prekur asnjë gjë ai njeri. Ka një fakt dhe 10 interpretime. Ishte kryetar i shtetit shqiptar”, tha ai.

Nga ana tjetër pedagogu dhe historiani Marenglen Kasmi ka kundërshtuar Bashën duke thënë se Zogu në të vërtetë ka marrë paratë e buxhetit të shtetit në atë kohë.

Ai deklaroi se kur Zogu është larguar nuk ka protestuar asnjë vend ndaj asaj që ndodhi pasi korrupsioni në atë kohë ka qenë galopant, gjë që ai e ka cilësuar si një “sëmundje shqiptare”.

“Nuk është ashtu. Nuk protestoi asnjë shtet ndaj kësaj kur ndodhi sepse në atë periudhë korrupsioni në atë kohë ka qenë galopant. Mesa duket është sëmundje shqiptare kjo”, theksoi Kasmi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: