Sërish Enkelejd Alibeaj shtriu dorën e pajtimit brenda Partisë Demokratike për të arritur atë që ai e cilësoi si “të vetmen mënyrë për të rrëzuar qeverinë”.

Gjatë një takimi me strukturat e PD-së në degën 12 në Tiranë, Alibeaj u shpreh i gatshëm të fusë në listat e grupit që ai drejton që po përgatit për zgjedhjet e 14 majit edhe kandidatët e dalë nga primaret e “Rithemelimit”.

“Zgjedhjet janë çështje e shqiptarëve, ne do duhet t’u shërbejmë atyre. Oferta jonë duhet të jetë pikërisht ndaj shqiptarëve. Vetëm kështu futemi të bashkuar dhe me shanse shumë të mira për të qenë të suksesshëm. Vetëm kështu mund dhe ia dalim, të bashkuar”, tha Alibeaj.

“Nga kandidatët e primareve tona të bëra në 2021 po e po, por edhe kandidatët të dalë nga primaret e rithemelimit dhe kandidatura të tjera që ofrohen dhe gëzojnë reputacion në komunitet, derën e kanë të hapur. Një kandidat për demokratët, ky është qëndrimi që kemi ne”, tha Alibeaj.

Ditën e djeshme, pas mbledhjes së Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të kryetarëve, ishte rënë dakord ngritja e një grupi prej 3 deputetësh, Gazment Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxha, të cilët u mandatuan për të biseduar me grupin e Rithemelimit për çështjen e gjetjes së gjuhës së përbashkët për një kandidat të Partisë Demokratike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb