Ish-kryeministri Sali Berisha i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Opinion” ka folur për herë të parë hapur për vrasjen e Azem Hajdarit më 12 shtator të vitit 1998 në një atentat që iu bë para selisë së Partisë Demokratike.

Berisha e quajti vrasje shtetërore ekzekutimin e tij, duke drejtuar gishtin tek qeverisja socialiste e Fatos Nanos, ndërsa shtoi se vetë ai nuk është thirrur kurrë në prokurori apo gjykatë për të dëshmuar për të, pasi nuk ishte dëshmitar okular atë natë.

“Nuk jam thirrur asnjëherë, kurrë në jetën time as në gjykatë dhe as në prokurori. Kurrë nuk kam marrë fletëthirrje. Nuk ka një media të vërtetojë të kundërtën e kësaj. Po, Fatos Klosi dhe Arben Rakipi bënë lojë dhe bëjnë skupe sepse nuk më thërrisnin dot. Për dy fakte, e para do t’u bëja prezencë politike, e dyta nuk isha dëshmitar okular. Unë isha në zyrë e çfarë do të dëshmoja nuk merrte fuqi prove. Së treti vetëm në 12 orë atë ditë kam bërë tre konferenca shtypi. Pra, kam denoncuar publikisht cdo të dhënë që ka ardhur, kam denoncuar vrasjen shtetërore”,- tha Berisha.

Sipas tij, “Azem Hajdari ishte ndër personalitetet më të rralla të politikës. Cfarë ishin banda terroriste e Haklajve, ishte e zakonshme, jo, ajo është një bandë shtetërore me spaleta. Bandë ishte edhe Zani Caushi, po nuk u bë shef komisariati. Vrasësit Haklaj morën komisariatin për t’u hakmarrë në emër të regjimit në Tropojën e Azem Hajdarit. E vrau shteti Azem Hajdarin”.

Berisha më tej hedh akuza direkte ndaj ish-kryeministrit të kohës, Fatos Nanos. “Kishim informacion se vrasësit e Azemit kanë pritur në aeroport Fatos Nanon. Kjo nuk ishte një e dhënë e kotë. Pse akuzova Fatos Nanon? Pas vrasjes i kemi ndjekur vrasësit e bandën terroriste. Nga Lapraka në Bajram Curri, asnjë postbllok policie, jo vetëm s’i ka ndaluar po i ka nderuar”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb