Në Shqipëri, edhe java e fundit (29 Dhjetor- 4 Janar) rregjistroi të njejtën tendencën në rënie të vdekjeve, rasteve të reja me COVID 19 dhe të shtrimeve në spitale, të vënë re që nga java e dytë e muajit dhjetor. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se fatalitetet, gati u përgjysmuan, krahasuar me javën pararendëse (22-28 Dhjetor), duke zbritur në 35 viktima, shifra më e ulët që nga fundi i muajit Tetor.

Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë, njoftoi për 6 persona të cilët kishin humbur jetën në spitalet COVID: 1 qytetar nga Tirana, 1 qytetar nga Peqini, 1 qytetare nga Lezha, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Kruja, 1 qytetar nga Përmeti, të moshave 59-76 vjeç. Që nga fillimi i pandemisë janë 1.199 viktimat e shkaktuara nga Koronavirusi.

Sa i përket rasteve të reja, ato shënuan një rënie të lehtë, gjatë javës së shkuar, me vetëm 3 përqind, me një total prej 3051 rastesh, ndërsa paralelisht dhe testimet u reduktuan, thuajse në të njejtat nivele, me -2.7 përqind. Numri i të prekurve gjatë javës së fundit, është më i ulëti po ashtu që nga fillimi i muajit Nëntor. Ndërsa pozitiviteti (raporti mes rasteve pozitive dhe testimeve) ka mbetur thuajse i njejtë, me atë të javës pararendëse, në nivelin e 21.5 përqind. Që prej rasteve të para në muajin Mars, në total llogariten 59.623 të infektuar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 24 orët e fundit, rregjistruan dhe numrin më të ulët të të infektuarve, me vetëm 185 të prekur, kuota më e ulët që nga 13 Tetori, kur dhe numri i tamponëve ishte thuajse në të njejtat shifra, afërsisht 1300 testime. Rastet e reja të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 31 raste në Tiranë, nga 19 raste në Shkodër, Vlorë, 12 në Sarandë, nga 9 raste në Kurbin, Lezhë, nga 8 raste në Durrës, Kavajë, Cerrik, 6 në Kamëz, nga 4 raste në Kukës, Lushnje, Dibër, nga 3 raste në Fier, Berat, Vorë, Patos,dhe nga 2 raste në Krujë, Mirditë, Rrogozhinë, Librazhd, Mat, Gjirokastër, Delvinë, Tepelenë, Vau i Dejës, nga 1 rast në Korçë, Elbasan, Has, Pukë, Mallakastër, Përmet, Ura Vajgurore, Fushë Arrëz, Belsh, Malësi e Madhe, Kolonjë, Klos, Skrapar, Konispol.

Në ulje progresive ka qenë, gjatë javës së fundit, edhe numri i të shtruarve, e po ashtu dhe ai i pacientëve që janë në terapi intensive apo të intubuar. Deri pasditen e së hënës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë “në 4 spitalet COVID, po trajtohen 274 pacientë, 28 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar”.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb