TIRANE- Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i është përgjigjur akuzave të PD duke thënë se vettingu po funksionon dhe se po pastrohet drejtësia. Përmes një deklarate për mediat, Gjonaj u shpreh se opozita nuk e do vettingun, por procesi nuk ka kthim mbrapa. Ministrja i bëri thirrje opozitës për të bashkëpunuar.

“Vettingu po funksionon  dhe po pastrohet drejtësia. Vettingu po kthen shpresën e publikut se dhe ne Shqipëri mund të ketë drejtësi. Sot jemi të gjithë dëshmitarë për progresin e vettingut. Opozita akuzon qeverinë dhe kryeministrin për kapje të drejtësisë. Po si po e kap qeveria drejtësinë? Që opozita nuk e donte vettingun kjo dihej botërisht. Që opozita kërkon me dëshpërim dhe shkatërrimin e këtij kuadri ligjor kjo është çdo ditë dhe më e qartë. Kthim mbrapa të këtij procesi nuk mund të ketë dhe shantazhet për të kthyer procesin mbrapa nuk mund të funksionojnë. Opozita është në çdo moment e mirëpritur për të bashkëpunuar për vazhdimin, po kurrsesi për asnjë kthim mbrapa, dhe kurrsesi për të çbërë atë që u miratua para dy vjetëve”- tha Gjonaj.

Deklarata e plotë e ministres Etilda Gjonaj:

Procesi i Vetingut, po qëllohet përditë me gurët e revanshit të dëshpëruar të një opozite që pasi ka humbur pushtetin absolut mbi gjyqësorin e korruptuar deri në palcë, ka humbur edhe rrugën e arsyes.

Vetingu po funksionon dhe pastrimi i shumëpritur prej dekadash i Pallatit të Drejtësisë po ndodh!

Jo vetëm po ndodh, por po ndodh në sytë e publikut, në transparencë të plotë dhe monitorim të rreptë ndërkombëtar.

Vetingu po rikthen shpresën e qytetarëve se edhe në Shqipëri mund të ketë drejtësi

dhe sa më shumë shtohen shembujt që ushqejnë shpresën, aq më shumë shtohen edhe fletërrufetë e dëshpëruara të opozitës kundër Vetingut.

Sot jemi të gjithë dëshmitarë për progresin tepër të rëndësishem të kryer nga procesi i Vetingut.

Opozita akuzon Qeverinë dhe Kryeministrin për kapje të drejtësisë përmes Vetingut.

Po si po e kap Kryeministri dhe Qeveria drejtësinë përmes zbatimit strikt të një kuadri ligjor të votuar edhe nga vetë opozita?

Që opozita nuk e donte Vetingun kjo dihet botërisht! Që opozita votoi me pahir edhe Reformën në Drejtësi, edhe Vetingun, edhe përfshirjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Kushtetute, edhe kjo dihet botërisht.

Që opozita sot, kërkon me dëshpërim rishikimin (dmth shkatërrimin) e këtij kuadri ligjor të konsideruar botërisht si një revolucion në sistemin e drejtësisë shqiptare, edhe kjo është përditë e më e qartë.

Por po ashtu, për këdo që kërkon shtet të së drejtës për gati tashmë 3 dekada, në këtë vend me një sistem drejtësie të kapur nga politika dhe të kalbur nga korrupsioni, është e qartë se kthim mbrapa nuk mund të ketë.

Shantazhet e vazhdueshme, kërcënimet e përditshme, bllokimet e imagjinuara si mundësi për të imponuar kthimin mbrapa, nuk kanë asnjë mundësi të funksionojnë.

Mbrojtja absurde e atyre që goditen drejtësisht nga Vetingu, dhe sulmet absurde ndaj atyre që e kalojnë Vetingun, janë akte të rënda vetëdiskretituese të një opozite që e ka humbur vijmësisht davanë me vetingun e shqiptarëve nga zgjedhja në zgjedhje.

Kjo është zgjedhja fatkeqe që opozita ka bërë, por fatmirësisht Vetingu nuk kapet dot nga askush, nuk përdoret dot nga askush, nuk ndalet dot nga askush!!!

Sepse Vetingu mbrohet nga sytë e komunitetit ndërkombëtar të atashuar në proces,

përmes Operacionit Ndërkombetar të Monitorimit.

Deklaratat për t’i mbushur mëndjen shqiptarëve, që mund të besojnë se qeveria dhe kryeministri, kanë kapur edhe komunitetin ndërkombëtar për të kapur drejtësinë,

është një kulm i dëshpërimit opozitar që nuk çon askund.

Nuk çon askund as deklaratat për Shqipërinë e mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë!

Sepse në fakt, Shqipëria nuk ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë,

po ka shpëtuar njëherë e mirë nga pasojat e kalbëzimit korruptiv të këtyre gjykatave

mbi drejtësinë e mbi liritë e të drejtat e njerëzve të zakonshëm.

Boshllëku i sotëm është i përkohshëm, i kuptueshëm njësoj si hapësirat e çliruara nga operacioni në trupin e drejtësisë, ku kishin gjetur strehë e rriteshin tumoret e një kanceri degradues për krejt organizmin.

Ky boshllëk do të mbushet më shpejt se sa vonë, nga funksionet ripërtëritëse që garanton reforma për këto institucione bazike të drejtësisë.

Nuk çon askund, as bllokimi i ndryshimeve ligjore për Shkollën e Magjistraturës, për dhënien e mundësisë të rinjve për të ndjekur studimet për magjistrat, për të cilën u shpreh me indinjatë dje edhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes përfaqësisë së saj në Tiranë.

Në emër të qeverisë shqiptare i falenderoj edhe në këtë rast, partnerët tanë ndërkombëtarë, si një ndër mbështetësit kryesor të Reformës në Drejtësi dhe i siguroj të gjithë qytetarët se bllokimi i ndryshimeve ligjore për Shkollën e Magjistraturës, ishte një përpëlitje sa e dëshpëruar, aq edhe e pashpresë për të kthyer mbrapsht Reformën në Drejtësi.

Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë dhe ne do të jemi deri në fund, garantët e palëkundur të një reforme që po bën histori në rrugën e drejtësisë shqiptare. Asgjë dhe askush nuk e bllokon dot më këtë rrugë!

Asgjë nuk është jashtë parashikimeve tona, përfshirë edhe këto vonesa artificiale të krijuara nga një opozitë artificiale!

Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk ka për të dalë dot mbi ligjin, duke kërcënuar, shantazhuar e bllokuar për të imponuar ndryshimin shkatërrues të ligjeve tashmë të miratuara.

Procesi i Vetingu nuk është më për diskutim, po për zbatim.

Reforma në Drejtësi nuk është më për diskutim, po vetem dhe vetëm për zbatim.

Opozita është në çdo moment e mirëpritur për të bashkëpunuar për vazhdimin, po kurrsesi për asnjë kthim mbrapa, dhe kurrsesi për të çbërë atë që u miratua para dy vjetëve.

Dhe ne jemi të vendosur për ta çuar deri në fund, si një ndër reformat më të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë në rrugën evropiane.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb