Pse ky indiferentizëm dhe shkelje me këmbë e dinjitetit artistik të artistëve në FFGJ? Artistët e të gjitha trevave shqiptare krijojnë një mozaik melosi, nuanca muzikale mbresëdhënëse dhe mbresëlënëse, magji për shqisat shpirtërore e mentale në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës! Këto vlera, ky përkushtim i njerëzve të urtë dhe artistë të bindur, që shpalosin perla, jo vetëm në skenë të festivalit, por kudo që ndodhen në këtë qytet prehërbujar, nuk gjejnë përkushtim teknik të asnjë forme profesionale.

Grupi i teknikës së zërimit të festivalit, krejtësisht diletant, jo kompetent, që nuk arrin as në nivel amator, nuk mund të përdhosë me papërgjegjësi punën disamujore të qindra interpretuesve dhe debutuesve, grupeve artistike të qarqeve që performojnë në këtë skenë. Në mënyrën më të shëmtuar dhe aspak të pranueshme, netët e festivalit vijojnë me një defekt të vetëm thelbësor, që është teknika e zërimit.

Pse? Sepse janë performanca live dhe këtu nuk del muzikë nga konserva, siç është bërë ritual i rëndomtë në shumicën e skenave shqiptare! Dikush edhe e ka cekur këtë problem, duke gjetur justifikimin se “artistët bëjnë të pamundurën për të vështirësuar punën e teknikëve”, për ta zbutur faktorin që na është bërë tashmë halë peshku në vesh tërë këto net të gjata në kala. (A thua se artistët “grindavecë” erdhën dhe e morën prej veshi inxhinierin e zërimit dhe e vunë të bëjë punën!). Por asgjë nuk mund të mbulojë faktin e lartpërmendur.

I është bërë hyzmeti i duhur këtij festivali, sjellja dhe organizimi i një armate të tërë artistësh, koordinime e logjistika të mirëmenduara pa fund, stafe të limituar njerëzish drejtues, që punojnë pa pasur kurrë eksperienca të këtij dimensioni (dhe duket që po bëjnë heroizma!), por kanë dëshirën e mirë për të punuar…

Ama, kur vijmë te thelbësorja, nuk amplifikohet asnjë vlerë muzikale, asnjë iso-polifoni lamentuese, asnjë rapsod solist, grupet e grave që i këndojnë kurbetit, burrat malësorë që sjellin eposin kreshnik apo këndojnë mjeshtërisht repertorin majekrahu, kabatë dhe lista s’ka të sosur…

Vlera mbetet vlerë, por duke mos e amplifikuar në momentin, kohën dhe vendin e duhur, kjo për mua është mosrespekt deri në palcë! Madje, kushdo që përligj këtë pjesë të shëmtuar të festivalit, i përdhos dyfish artistët. Turp dhe bravo njëherësh festivalit. Kush mban përgjegjësi për të paguar këtë dëm të madh sa një mal karshi artistëve, këngëve, valleve, riteve qindravjeçare?

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb