Teksa tashmë në 8 qarqe është përmbyllur edhe ‘beteja’ e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit, në 4 të tjera vijon ende.

Siç njoftoi edhe kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi po vijon numërimi në 9 KZAZ në qarqet Tiranë, Lezhë, Durrës e Elbasan.

Në Lezhë kryeson Kastriot Piroli nga PD me 9 mijë e 374 vota. I renditur i katërti në listë, edhe pse e ka fituar mandatin ai është shumë afër thyerjes së herësit. Pas tij vijnë Mark Marku me 5 mijë e 321 vota, Agron Gjekmarkaj me 4 mijë e 67 vota dhe Lindita Metaliaj me 2 mijë e 328 vota.

Nga PS, Eduard Ndreca kryeson me 7 mijë e 250 vota ndjekur nga Lindita Nikolla me 5 mijë e 145 vota. E treta Shpresa Marnoj, ka marrë 3 mijë  e 171 vota.

Në Elbasan, Taulant Balla i cili është kandidati më i votuar në gjithë Shqipërinë ka shkuar në 21 mijë e 604 vota, ndjekur nga Saimir Hasalla me 11 mijë e 518 vota. Hasalla është i dyti në Elbasan që thyen herësin.

Nga PD Luçiano Boçi ka thyer herësin teksa ka 10 mijë e 930 vota.

Në Durrës, Edi Rama i kryeson me 11 mijë e 945 vota do të shihet nëse do të pranojë mandatin e këtij qarku, apo të Vlorës, për t’i hapur rrugë një tjetër kandidati. Vetëm ai ka thyer herësin në Durrës, kurse pas tij vjen Rrahman Rraja 7 mijë e 561 vota, ndjekur nga Lefter Koka me 7 mijë e 345 vota dhe Jurgid Çyrbja me 5 mijë e 875 vota.

Ndërkohë nga PD ka surpriza, pasi më shumë vota ka Igli Cara, 5 mijë e 564 dhe pas tij vjen kandidatja 22-vjeçare, Andia Ulliri, me 5 mijë e 488 vota, ndjekur nga Ferdinant Xhaferraj me 4 mijë e 577 vota, Agron Duka me 3 mijë e 908 vota dhe më pas Edi Paloka me 3 mijë e 509 vota.

Në Tiranë më pas, deri më tani herësin e kanë thyer Fatmir Xhafaj me 14,194 vota, Balluku me 13,792, Ornaldo Rakipi me 13,744 vota, ndërkohë ndjekin Etjen Xhafaj dhe Arben Ahmetaj.

Nga PD kandidati më i  votuar është kryetari Lulzim Basha me 14 mijë e 48 vota, ndjekur nga Shehaj, Këlliçi dhe Grida Duma.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb