Arsene Wenger vijon rrugën e tij. Pas karrierës së tij si trajner, në vitin 2019, u emërua si kreu i zhvillimit botëror të futbollit nga FIFA. Një rrugë e re që ish-trajneri i Arsenalit e ka trajtuar që në fillim në mënyrë proaktive, me synimin e deklaruar për ta bërë produktin e futbollit më të mirë.

“Ne duam ta bëjmë futbollin ndërkombëtar më të mirë, më të qartë, më të thjeshtë dhe më kuptimplotë, me një ulje të kualifikueseve dhe fokus më të madh te garat e mëdha finale. Në të njëjtën kohë, unë dua të ruaj ekuilibrin aktual: rreth 80% e sezonit për garat e klubeve dhe 20% për garat e kombëtareve” – tha fillimisht Wenger në një intervistë “Corriere della Sera”.

Ai më pas shpjegoi projektin që ka krijuar mosmarrëveshje mes UEFA-s dhe FIFA-s mbi Kupën e Botës çdo dy vite: “Propozimi im është të grupoj kualifikueset në një ose dy periudha ndërkombëtare, në vend të pesë të tanishme.

Në atë mënyrë do të kishte më pak ndërprerje të kampionateve respektive dhe lojtarët do të qëndronin në klubin e tyre për pjesën më të madhe të sezonit. Si trajner klubi do të kisha nënshkruar për këtë propozim menjëherë.

Ne, gjithashtu do t’i ndihmonim trajnerët e ekipeve kombëtare, duke u garantuar atyre kushtet më të mira për të punuar dhe zhvilluar ekipin e tyre. Kupa e Botës 2026 do të ketë 48 skuadra. Me më shumë kombëtare në fazën përfundimtare nuk ka më kuptim kualifikueset e gjata të shpërndara në dy vite”.

UEFA nuk duket se e mirëpret këtë mundësi. Wenger shton: “Unë mund t’i kuptoj kritikat, por mendoj se disa njerëz reagojnë pa parë pamjen e plotë të projektit. Ata mendojnë se ne po propozojmë më shumë ndeshje, por me idenë time do të kishte më pak sfida, por kuptimplota.

Një nga objektivat e reformës është gjithashtu për të adresuar hendekun në rritje midis konfederatave. Shumë prej tyre nuk kanë mundësi t’i luajnë këto lojëra në një nivel të lartë. Me një Kupë Bote më të shpeshtë ne do t’u jepnim atyre më shumë mundësi për të marrë pjesë”.

Ndër kritikat e parashtruara është ajo sipas së cilës futbolli po transformohet në emër të biznesit të pastër. Wenger sqaron: “I imi është një propozim thjesht futbolli. Ka një studim të vazhdueshëm mbi aspekte më të gjera, përfshirë ato financiare.

Kompetenca ime dhe pika fillestare e reflektimit tim është loja; unë dua ta bëj atë më të mirë. Të gjithë tifozët duan të shohin lojëra që me të vërtetë kanë rëndësi.

Pra, ajo që unë propozoj nuk është të shtoj më shumë ndeshje në kalendar, por të zhduk ndeshjet që e kanë humbur kuptimin. Gjithashtu, duke folur me disa lojtarë të mëdhenj, e di që shumë do të preferonin të luanin ndeshje më të rëndësishme se ato pa interes”.

Ku qëndron dallimi i projektit të tij me Superligën? “Qëllimi im nuk është të krijoj një rreth të mbyllur dhe ekskluziv, por ta bëj futbollin më gjithëpërfshirës, duke u dhënë më shumë mundësi të gjitha vendeve në të gjitha rajonet për të konkurruar në nivelin më të lartë.

Nga 211 federatat e FIFA -s, 133 nuk kanë marrë kurrë pjesë në një Kupë Bote. Nëse do ta organizonim më rregullisht, ata do të kishin më shumë shanse për të marrë pjesë në këtë kompeticion”, – përfundon ish-trajneri francez Arsene Wenger.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb