TIRANE

Ndërsa komentoi bojkotin e opozitës, të cilën e quajti një vetëvrasje politike, e që nuk nguroi ta etiketojë edhe me shprehjen japoneze“ harakiri”, kryeministri Edi Rama solli në vëmendje bojkotin parlamentar të PS pas zgjedhjeve të 2009, vendim që pasoi më pas protestat “Hap kutitë ose largohu”.

“Kush ka bojkotuar zgjedhjet e ka pësuar më pas. Është një studim shumë i bukur për bojkotet. Kemi bërë edhe ne bojkot, në atë fazë ka qenë për të bërë një komision hetimor, jo për të thënë ik ti se nuk njohim zgjedhjet por thamë duam të shohim procesin. Dhe bojkoti ishte për të ndërkombëtarizuar cështjen. Nga pikëpamja e numrave s’na ka rritur asnjë pikë. Se ne bëjmë sondazhe, jemi bërë ustallarë. Asnjë pikë nuk fituam politikisht, ama cështja u bë .. Erdhi 2011  na grabitën rezultatin .. u bë debat i madh në parti, jo po të dalim etj. S’kemi ca të dalim, ne ndërruam strategji etj etj e ja ku jemi, po kush të bëjë strategji” tha Rama ndërsa shtoi se:

“Bojkoti me djegie mandatesh është vetëvrasje spektakolare, harakiri i thonë japonezët, bjeri vetes me thika dhe prit ti vijë keq të tjerëve. Rama ik dhe po ikin të gjithë vetë një nga një. Po ikin të gjithë me radhë. Ata kanë ardhur në parlament 2 vjet sikur vinin në sallën e mundjes. Vetëm sharje, bllokime. Kryetari i opozitës me xhup në parlament, unë thashë është ftohur, kur filluan këta të tjerët shkonin nga mbrapa dhe tak-tak dilnin vezët. O Zot klloçkë. Fut dorën poshtë dilte veza. Hej Zot! Opozitë!!” U shpreh Rama.

Pas zgjedhjeve te 2009, PS bojkotoi parlamentin duke akuzuar demokratët për vjedhje të votave. Aso kohe PS, iu rikthye jetës parlamentare duke mos djegur mandatet. Deputetët hynë në Kuvend, pak ditë para se të përfundonte afati 6 mujor i përcaktuar në rregulloren e Kuvendit, sipas të cilit nëse mungon pa arsye në Kuvend të digjen mandatet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb