POGRADEC- Në operacionet e policisë shqiptare kundër kultivimit të bimëve narkotike, janë evidentuar parcela me kanabis në rrethe të ndryshme të vendit. Por deri në këtë moment Pogradeci i kishte munguar hartës së kanabisit. Sot, Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë, njoftoi se efektivët e Komisariatit Pogradec kanë asgjësuar 1017 bimë narkotike si dhe kanë sekuestruar 14 kg kanabis. Nga ky operacion janë arrestuar Xhevdet  Mollaj, 50 vjeç, banues fshatin Kukur,Gramsh dhe Aleks (Algert) Fetau, 26 vjeç, banues në  fshatin Gribë, Gramsh.

Arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar dje në vendin e quajtur “Uji i ftohtë” në  Gurr Top, të rrethit Pogradec, në dy parcela, janë gjetur 1017 rrënjë, bimë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva si dhe 14 kg e 230 gram, bimë Cannabis Sattiva në gjendje të thatë.

Këta dy shtetas, dyshohet se janë kultivuesit e bimëve  narkotike, si edhe posedues të sasisë të mësipërme, prej 14 kg e 230 gram, e cila u gjet pranë parcelave të  kultivuara.

Bimët  narkotike u asgjësuan në vend, me anë të djegies dhe një pjesë e tyre, u morën në  cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: