Ministri i Diasporës, i renditur i 19-i në listën e PS në Tiranë, Pandeli Majko, komentoi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, dy ngjarjet e bujshme të ditëve të fundit në vend, plagosjen e aktivistit të PD brenda zyrës elektorale në Kavajë dhe vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

Majko kritikoi opozitën për ngjarjen e Elbasanit, teksa tha se është e pafalshme të dalësh me armë në mes të qytetit.

Sipas Majkos, edhe  nëse ndonje parti mund të ketë ndonjë hajvan që blen vota, nuk bëhen shfaqje të tilla, aq më tepër nga një parti që synon të marrë pushtetin e të fusë vendin në BE.

“Mendoj që ne nuk kemi përplasje të një niveli, që mund të shtrihet në nivel vertikal e të prekë shtresat më të qenësishme të shoqërisë, siç ndodhi më 1997. Mendoj se ka disa gjëra, që ja vlen t’i themi shumë shkurt. Aktualisht Shqipëria ka pronarë, prona nuk është si në vitin 1997. Politikanëve sot nuk ju lejohet të bëjnë akrobaci, se nuk janë në pronat e babait të tyre. Për më tepër, Shqipëria është vend anëtar i NATO dhe stabiliteti ka tjera formate për t’u vënë në kontroll. Dikush do ta deklarojë mbylljen e ciklit të tij politik. Pala që sheh që është në disavantazh me ne, ka një lloj tensioni, për më tepër që nuk e ka pranuar asnjëherë humbjen. Nuk kemi një opozitë që ka ardhur me një fitore pas vetes, iku nga Parlamenti duke thënë se do shkonte në zgjedhje të parakohshme, nuk ndodhi. Përkundrazi u vendos në një pozitë shumë të vështirë nga opinioni ndërkombëtar, madje mendoj se ishte presioni më i madh që erdhi nga ndërkombëtarët për një opozitë. E gjithë kjo nuk mund të kalojë si një histori e thjeshtë, nga një parti që është jashtë Kuvendit dhe tani thotë se do të qeveris vendin.

Ka një distancë të opozitës nga sistemi i drejtësisë, nga sistemi i rregullave dhe ligjeve. Çfarëdo problemesh të ketë PS, edhe ndonjë hajvan që shkon e blen votën, kjo nuk të justifikon të shkosh e të bësh filma në mes të qytetit, në emër të mbrojtjes së votës. Ky është më shumë produkt i ankthit, por dhe një gabim në mënyrën se si është formuluar fushata e PD. Kjo tregon se fushata e PD ka diçka, është e kopjuar dhe e trajnuar. Sipas të trajnuarës, ekziston një realitet. Fushata reale janë këto strukturat, që sa më shpejt, duhet të shpërndahet dhe këto djem të mos merren me armë në dorë për të krijuar këto shfaqje. Të nxjerrin armët në mes të qytetit, është e pafalshme. Në Kavajë ndodhi një incident, u akuzua PS, dolën menjëherë zyrtarët e PS dhe u distancuan, ndërsa në Elbasan filluan të krijoheshin ca skenare, që nuk i bëjnë nder PD, që pretendon të marrë pushtetin e të fusë Shqipërinë në BE. Njeh ndonjë që menaxhon votat me sherif privat?”, tha Majko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb