Është shoqëruar me debate të forta diskutimi për amnistinë fiskale në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24. Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, dhe deputeti demokrat, Ervin Salianji, janë përplasur ekspertin e ekonomisë, Bardh Sejdarasi, i cili ishte pro amnistisë fiskale.

Soko dhe Salianji kanë ngritur pyetjen se si mund të deklarohen në doganë dhe të futen në Shqipëri paratë e emigrantëve, pasi sipas tyre, asnjë vend tjetër i botës nuk i njeh ligjet shqiptare.

Por, nga ana e tij, eksperti Sejdarasi ka këmbëngulur se paratë mund të futen, teksa ka lexuar dhe nenin e ligjit, ku pretendohej se sqarohej deklarimi i të hollave.

Pjesë nga debati:
Soko: I ke parë ato kompanitë ti të inceneratorëve, ato fallco, kompani fantazmë? Këto kompani fantazmë do shkojnë te komisioni, do marrin formularin, do legalizojnë gjithë ato para që kanë marrë dhe ja ku u legalizuan gjithë ato para që janë marrë nga buxheti.
Salianji: Këshilli Kombëtar është një kinezeri, është kot, një turp i zi. Vetëm vendet autokratike e bëjnë, e bën dhe Rama. Të gjithë ndërkombëtarët kanë qenë kundër këtij ligji amnistie. Shikojeni Ramën, është e njëjta gjuhë si në të kaluarën. Nuk qëndrojnë ato që thotë Rama, sepse si do i sjellin paratë emigrantët? Me bankë nuk i sjell 2 milionë euro ai, se nuk i pranon banka. Si do i sjell pra? Ndaj kjo është një non sens, se nuk ekziston fare.
Sejdarasi: Nuk sillen para me cantë, por merret formulari, plotësohet dhe kërkoqet që të deklarosh në bankë kaq para.
Soko: Ca thotë ky mo, si mund të deklarosh para në doganë? Në momentin që paraqitesh në doganë, në atë moment ti e merr formularin, por a do i deklarojë dogana shqiptare që ky zotëri ka futur 50 mijë euro pa deklaruar? Ky është një ngërc që nuk zgjidhet.
Sejdarasi: Depozitohen në llogari bankare të bankave të nivelit të dytë.
Soko e Salianji: Ku është neni, na e lexo pak.
Sejdarasi lexon nenin për deklarimin e të hollave.
Salianji: Po si do ta sjellë nga Britania deri këtu? Si?
Sejdarasi: Po janë paratë e tua. Ju keqinterpretoni.
Salianji: Ore dhe bankat e Shqipërisë dhe kudo ku shkon… Nuk ekziston fare kjo. Neni i ligjit nuk ka juridiksion në asnjë vend të botës. Këtë e di dhe një analfabet. C’lidhje ka kjo me Britaninë e Madhe, Gjermaninë?
Sejdarasi: Ja të nxora raportin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb