NGA MONIKA SHOSHORI STAFA

“Trepça është një minierë në territorin e Kosovës, çfarë do të bëni me Trepçën, do ta transportoni këtu në Beograd? … Trepça u përket qytetarëve kosovarë, qofshin shqiptarë apo serbë. Por, mbi të gjitha, Trepça është një çështje ekonomike. Prandaj pyetja është: A duhet të vendosë ekonomia nëse kjo minierë duhet të punojë, apo duhet ta vendosë politika?”

Me këto fjalë iu drejtua mikpritësit të vet kryeministri shqiptar në Forumin për Sigurinë në Beograd disa ditë më parë, duke shënuar edhe një tjetër “provokacija” në tokën serbe. Qasja e tij e drejtë në parim, por e ftohtë në përballje, nuk u prit me buzëqeshje nga homologu vendas, aq sa ai u mundua ta mbyllë shpejt dialogun e hapur nga Rama, duke dhënë një koment indiferent ndaj çështjes më delikate, që sot i bën të ndjeshëm shqiptarët e Kosovës po aq sa dhe shumë plagë të tjera që i përkasin kujtesës së tyre kolektive. Vërtet pohimi i KM shqiptar ia shkulte Serbisë Kosovën prej prehrit, por nuk duhet ta heqim prej mendjes se ëndrra e tyre vazhdon. Jo më kot, përpjekja e Ramës për të treguar se “ne në politikë jemi njësoj”, ishte një kujdesje e posaçme prej tij.

Pa u bërë “pretenciozë”, mund ta shqyrtojmë pohimin e kryeministrit vetëm në kuadrin e së mundshmes dhe jo si një qëndrim politik i një kryeministri shqiptar, por thjesht si pohim i një kryeministri çfarëdo që i njeh realitetet ballkanike, prejardhjen historike të çështjes shqiptare, gjendjen e gjysmës së ndarë të këtij kombinati të madh dhe fatin e tij tragjik gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit.

Por çfarë do të prodhonin deklamimet e KM, kjo ishte vetëm një anë e çështjes, guximshëm e ngritur ndoshta në një kohë projektesh pajtimi. Por ajo çfarë prodhon Trepça në të vërtetë si histori e së kaluarës është një dramë e pashembullt, e cila nuk e ka aspak forcën të endet mes fjalimeve me “optimizma të pashërueshme”. Sot Trepça vuan pasojat e një copëtimi të pandaltë dhe të pakohë.

Deri para luftës së Kosovës, gjëja më e pafalshme për politikanët shqiptarë të periudhës së tranzicionit ishte angazhimi për mosndryshimin e kufijve, deklarimi kundër ndryshimit të tyre. Dikur ai vlerësohej si një qëndrim absurd dhe antihistorik, sot pas 17 vjetësh, busulla e Europës e ndryshoi këtë mendësi për hir të një stabiliteti panpolitik.

Iluzioni se bashkimi do të vinte shpejt sapo Shqipëria të dekomunistizohej dhe Serbia të demokratizohej ishte një utopi, që i përgjumi shqiptarët për vite me radhë, duke shkaktuar një vonesë historike të pafalshme.

Por e qartë është se shqiptarët nuk mund të ndahen nga e kaluara duke varrosur të djeshmen e dhunshme, sepse Kosova, shqetësimi i vazhdueshëm që ka vibruar në llogoret e saj ende të hapura, ka prodhuar gjithmonë rreziqe edhe për Shqipërinë londineze. Dhe ajo ende nuk mjaftohet të jetë e qetë pavarësisht luftës së fituar në vitin 1999. Shumëkush do të duhej të priste nga Forumi më i fundit i Sigurisë në Beograd që ndodhitë që pasuan njëra-tjetrën duhej të prodhonin vetëm një zë të vetëm. Megjithëse në fakt, e kaluara përmban shumë situata kur ky zë i vetëm ka pasur nevojën e një vullneti të përbashkët politik.

Trepça është një nga ato pasuri të së kaluarës që sot janë kthyer në pengje politike dhe ekonomike. Një nga ndërmarrjet më me rëndësi të veçantë për Kosovën, ajo pati përfshirë në gjirin e vet një numër relevant të të punësuarve, si dhe ndërmarrjeve të tjera të cilat bënin pjesë në të. Prodhimet e Trepçës kanë qenë të njohura thuajse në të gjitha tregjet dhe bursat e metaleve ndërkombëtare.

Ajo është dalluar gjithmonë për një gamë të gjerë të produkteve primare, gjysmëprodukteve dhe atyre finale. Në minierën e Trepçës gjenden në formën e produkteve xehe dhe koncentrat plumbi, zink, metale me shkallë të lartë pastërtie si dhe plumb i rafinuar dhe aliazhe të tij, argjend, ar, bizmut, zink elektrolit dhe kadmium. Por çfarë përfaqësonte, veç të tjerash, Trepça në të kaluarën e artë të saj? Çfarë ndodhi me të kur Millosheviçi erdhi në krye të Republikës së Serbisë në vitin 1989?

Përse sa herë ka trazira në Kosovë Trepça mbetet një plagë e hapur e parimeve të Vetëvendosjes dhe jo vetëm? Përse vazhdohet të protestohet edhe në emër të saj kur thirrjet shpeshherë kanë të tjera kuptime përmbajtjesore? Çfarë ka Trepça kaq të fshehur në pasurinë e saj që serbët dhe shqiptarët vazhdojnë të jenë në konflikt me njëri–tjetrin? Vetëm tokën? Apo dhe pronësinë? Çfarë u trashëgua nga e kaluara dhe si shqiptarët u dëbuan nga miniera si punëtorë por dhe si menaxherë të zotë? Përse klasa politike shqiptare në Kosovë e zvarrit çështjen e Trepçës prej kaq vjetësh? Çfarë donte të thoshte KM serb Vuçiç kur iu përgjigj jo pa mundim homologut të tij kur ai provokoi me deklaratën e tij?

Trepça ishte një sistem i cili përbëhej nga një numër i madh ndërmarrjesh punuese të cilat, përpos në Kosovë, shtriheshin në Serbi, Mal të Zi dhe Vojvodinë. Pas vitit 1990, kur prej pune përjashtohen të gjithë punëtorët dhe ekspertët shqiptarë, në Trepçë integrohen disa miniera dhe fabrika të tjera plotësisht nën autoritetin serb.

Gjurmët e para mbi ekzistencën e minierës së Trepçës datojnë që nga viti 1303, dhe kjo argumentohet mbi dokumentet e shkruara që gjenden në arkivin e qytetit të Dubrovnikut. Në vitin 1926, shoqëria angleze “Selekton Trust” formon ndërmarrjen “Trepca” – Mines Limited” dhe në vitin 1930 fillon prodhimi.

Kthesë e madhe në zhvillimin e Trepçës bëhet në vitin 1968, me realizimin e projektit të parë në përpunimin e plumbit. Me ngritjen e kapaciteteve për finalizimin e metaleve të Trepçës, bëhet punësimi i një numri të madh të ekspertëve kosovarë në vende profesionale dhe udhëheqëse të punës.

Në vitin 1980 – ‘81, në Trepçë përfundon faza e parë e zhvillimit të kapaciteteve për përpunimin e metaleve. Organizata të tjera bija të ndërmarrjes së Trepçës të cilat ofrojnë kapacitete të reja në prodhim ngrihen në Mitrovicë, Gjakovë, Prizren, Vushtri, Gjilan dhe Skënderaj. Gjatë kësaj kohe Trepça përpunon 70% të plumbit dhe kadmiumit; argjendi dhe ari përpunohen në tërësi, kurse zinku përpunohet vetëm 30% për shkak të mosrealizimit të programeve investive të përgatitura për realizim në kuadër të fazës së parë të zhvillimit të kompanisë “Trepça”.

Trepça, dikur e njohur vetëm si eksportuese e metalit të pastër në bllok, tani bën një depërtim të shpejtë në tregun botëror, me një gamë të gjerë të prodhimeve finale. Në vitin 1983, për nga bilanci i prodhimit Trepça zinte vendin e tretë në Jugosllavi. Në atë kohë krijohet një strukturë e re e ekspertëve të të gjitha profileve, e aftë për zgjidhjen e problemeve të karakterit sistemor, institucional e shtetëror. Rol vendimtar këtu ka pasur formimi dhe aftësimi i organizatave, siç janë “Trepca Commerce”, “Trepca Banka” dhe “Instituti Trepca”.

Pas vitit 1981, Trepça ndeshet me problemet e ndërhyrjes së politikës, të cilat arritën kulmin në vitin 1989–1990, kur në të tërë kompaninë “Trepça” aplikoheshin masat e dhunshme nga ana e Kuvendit të Serbisë.

Me masat e dhunshme të Serbisë u përjashtuan mbi 16.000 punëtorë dhe ekspertë shqiptarë. Menaxhmenti i vendosur me dhunë dhe pjesa e punëtorëve serbë që mbetën, tentuan ta vazhdojnë punën, por ata në bazë të të dhënave asnjëherë nuk mundën ta tejkalojnë shfrytëzimin e kapaciteteve më shumë se 10% dhe shkaktuan dëme të mëdha direkte dhe indirekte, pjesa më e madhe e të cilave sot është e pariparueshme.

Më 29 qershor të vitit 1992, Trepça shndërrohet (nën dhunë) në shoqëri aksionere kur si aksioner shpallen të gjithë ata të cilët ndërkohë kanë mundur të dëshmojnë për borxhet që Trepça ka ndaj tyre.

Kështu, borxhet dhe obligimet e Trepçës shndërrohen në aksione me një vendim arbitrar të pushtetit serb. Më 6 mars të vitit 1996 bëhet ristrukturimi i aksionerëve, por prapë “pronarë” të Trepçës sipas pushtetit serb mbetën organizatat nga Serbia, ndër kryesoret “Jugobanka” dhe “Genex” në Beograd.
Deri në vitin 1988, prej 18 korporatave, 13 nga ato kishin drejtorë shqiptarë dhe 5 ishin serbë. Pas futjes së masave të dhunshme (1990- 1999), të gjithë drejtorët ishin joshqiptarë. Gjatë kësaj periudhe regjimi serb çdo 6 muaj ka ndërruar të gjitha strukturat drejtuese, duke sjellë punëtorë të rinj nga Serbia, Kroacia dhe Bosnja.

Me hyrjen e NATO-s dhe UNMIK-ut në Kosovë, filloi një periudhë e veçantë në administrimin e kompanisë “Trepça”. Mitrovica jeton e ndarë në dy pjesë, me këtë edhe Trepça. Në pjesën jugore, punëtorëve shqiptarë nuk iu lejohet hyrja në objekte, të cilat mbikëqyren nga serbët. Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara merr vendim për administrimin e Trepçës nga ana e UNMIK-ut.

Çfarë ndodh sot me Trepçën?
Subjekte të ndryshme në Serbi pohojnë se janë pronarë të aksioneve të Trepçës, por duket të jetë më shumë një problem politik se ekonomik. Problemet pronësore në Trepçën janë krijuar gjatë qeverisjes së dhunshme të saj nga organet serbe, në situatën kur punëtorët shqiptarë dhe udhëheqësit e tyre ishin përjashtuar nga puna. Këto ndryshime janë bërë në bazë të ligjeve diskriminuese nga organet e Kosovës, si të tilla, duhet t’i shpallin të pavlefshme. Dhe i shpallën brenda një dite në një nga seancat parlamentare.

Veç serbëve dhe Vetëvendosjes, të gjitha partitë ranë dakord me ligjin, megjithëse thelbi paraqiti disa probleme. Probleme të cilat, pavarësisht deklaratës së KM shqiptar se Trepça është e shqiptarëve dhe mbetet në Kosovë, nuk duhet të harrojmë përgjigjen shpotitëse të KM serb Vuçiç pas kësaj: “Guxoj të them që di diçka më shumë se Edi për këtë çështje; të paktën kështu mendoj unë”.
Dhe e sigurt është se, ajo që dinë më shumë serbët nuk është ajo çfarë ne ndoqëm mes ekranit të madh televiziv. Trepça rrezikon të prodhojë prej të vetëve ende një krizë që do të zgjasë.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: