15 ditë pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, EULEX-i ende nuk e ka pushuar procedurën gjyqësore ndaj të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile, gjatë prillit 1999 në Mitrovicë. Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë ka konfirmuar për Express se procedura gjyqësore ndaj politikanit serb, të vrarë para më shumë se dy jave, nuk është pushuar akoma. “Aktvendimi i cili do të tregojë se procedura do të ndërpritet për shkak të vdekjes së të akuzuarit, Oliver Ivanoviç, ende nuk është nxjerrë”, është përgjigjur me e-mail EULEX. “Në momentin kur të nxirret, ky aktvendim do të bëhet publik”, thotë ky mision përmes zëdhënëses Donika Berisha-Rizaj. Sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës aktvendimin për pushimin e procedurës penale e merr prokurori i shtetit kur gjatë rrjedhës së procedurës penale vërtetohet se i pandehuri ka vdekur. Ish-lideri i vrarë i SDP-së, Oliver Ivanoviç, ka qenë duke u gjykuar për krime lufte në Kosovë, përfshirë vrasjen dhe dëbimin e popullatës civile shqiptare gjatë prillit të vitit 1999, në Mitrovicë.

Në fakt procesi ndaj tij ka qenë në rigjykim, pasi Gjykata e Apelit e ktheu rastin në pikën zero, shkurtin e vitit të kaluar. Një vit më herët, më 21 janar 2016, Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës e kishte gjetur fajtor për krime lufte ndaj shqiptarëve politikanin serb Oliver Ivanoviç. Gjykatë i kishte shqiptuar Ivanoviç dënimin prej 9 vjetësh burgim. Sipas këtij aktgjykimi të Themelores, që Apeli e kishte kthyer në rivendosje, Oliver Ivanoviç kishte marrë pjesë në vrasjen e të paktën katër burrave shqiptarë, prej 49-ve sa akuzohej, dhe përndjekjen e shumë grave dhe fëmijëve nga shtëpitë e tyre në Mitrovicë në vitin 1999. Por, gjykata nuk kishte arritur të bindet se ish-mjeshtri i arteve marciale kishte qenë komandues i këtij krimi.

Me të njëjtin aktgjykim, Gjykata Themelore e Mitrovicës i kishte liruar nga të njëjtat akuza katër serbë tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë të ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, tashmë të vdekur. Oliver Ivanoviç u vra me gjashtë plumba, mëngjesin e 16 janarit 2018, derisa po shkonte me këmbë në zyrën e partisë së tij SDP në veri të Mitrovicës. Ivanoviç, menjëherë pas lufte u bë politikani serb më i pranueshëm nga shqiptarët e Kosovës. Me vite të tëra, serbi i lindur në Deçan, habiste shqiptarët dhe serbët në të njëjtën kohë, deri kur ndaj tij, EULEX ngriti aktakuzën për krime lufte dhe vrasjen e 49 shqiptarëve, përfshirë 20 viktimat e Lagjes së Kovaçëve. Autoritetet kosovare ende nuk kanë ndonjë të dyshuar për vrasjen e ish-deputetit dhe ish-anëtarit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, për disa legjislatura pas lufte.

Vetëm pak ditë pas vrasjes, familjarët e viktimave të krimeve për të cilat dyshohej se urdhëroi Oliver Ivanoviçi, i thanë Gazetës Express se vrasja nuk ishte fundi që donin për të. “Askush nuk mund të thotë se jemi të kënaqur. Është dashur të dënohet sa ka qenë i gjallë, me burg të përjetshëm. Ka pasur shumë gjëra që kanë mundur të zbulohen sa ka qenë i gjallë”, pati thënë për Express, më 19 janar 2018, Isa Mustafa, një i mbijetuar nga masakra në Rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë. “Është vra një kriminel”, ishte reagimi i Fatime Pllanës, gruas që më 14 prill 1999 iu vranë dy djemtë dhe dhëndri, në masakrën që supozohet të jetë kryer me urdhër të Oliver Ivanoviçit./express

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: