Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se tërmeti i 26 nëntorit dëmtoi edhe disa qendra shëndetësore, ambulanca dhe spitale, në të cilët po punohet që të rikthehen në gjendjen e normalitetit.

Ministrja garantoi qytetarët që shërbimi do të jepet si më parë, ndërsa theksoi se më i dëmtuar nga tërmeti katastrofik është Spitali i Laçit, për të cilin mund të merret vendimi për ta shembur.

Çfarë patë sot në QSUT?
Tërmeti ka shkaktuar dëme edhe në disa objekte të shëndetësisë, kryesisht kanë qenë qendra shëndetësore, ambulanca dhe spitale. Në QSUT ka pas disa dëmtime, që nuk janë strukturore. Menjëherë ka filluar puna për riparimin e dëmeve. Ekspertët kanë konstatuar dëme që nuk janë strukturore dhe nuk përbëjnë rrezik, por kemi filluar punën për të marrë masa. Garantojmë qytetarët që shërbimi do të jepet.

Edhe në spitalet e tjera që ka pasur dëmtime, siç ishte i Durrësit, ku në kohë rekord u bënë të gjitha riparimet dhe brenda 48 orësh shërbimi u kthye në normalitet në Urgjencën e Durrësit. Aty ku ka pas dëmtime serioze është pezulluar shërbimi për pacientët. Siç është rasti i Spitalit të Laçit, ku menjëherë është ndalur puna, është evakuuar pjesa e shërbimit, i cili është dërguar diku tjetër për të ofruar shërbimin.

Ç’po ndodh me Spitalin 6-katësh?
Ky spital do të zhvendoset, por momentalisht po bëhet gjithçka që aty të kryhen të gjitha shërbimet. Unë jam gjithë kohës në terren, nesër do të jem në Laç, sot në QSUT, për të parë si funksionon shërbimi në zonat që ka pas probleme. Plani i emergjencës ka filluar dhe do vijojmë me planin e rindërtimit.

Ky plan do përfshijë godina spitalore, që do shemben?
Po bëhet vlerësimi i imtësishëm i godinave. Do jetë Spitali i Laçit, që besoj se do t’i nënshtrohet një vlerësimi më të imtësishëm dhe nëse merret vendimi për t’u shembur të ndërtohet një model i ri i spitalit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb