Deputeti i Bundestagut gjerman, njëherësh raporter për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Adis Ahmetoviç, tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë bërë detyrat e tyre, ndaj dhe sipas tij, edhe BE duhet të bëjë detyrat e saj për t’iu hapur këtyre dy vendeve rrugën e integrimit evropian.

Në një konferencë për media pas takimit me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deputeti gjerman u shpreh se Gjermania, por edhe BE, po punojnë fort që javën e ardhshme Shqipërisë t’i hapen negociatat, ashtu siç po punohet edhe për liberalizimin e vizave.

“Është nderë i madh që ndodhem sot në Tiranë. Është hera e parë për mua. Falënderoj Kuvendin e Shqipërisë që ishte pranë Ukrainës, duke treguar qartë qëndrimin kundër Rusisë. Duke dhënë një qëndrim dhe sinjal të qartë për pozicionin evropian në këtë çështje. Ne si qeveri e re gjermane dhe si parti socialdemokrate, e shohim këtë vend si anëtar të BE. Para tre javësh patëm një konferencë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Jam edhe vetë kritik. Kishim një rast historik që t’i jepnim Kosovës liberalizimin e vizave, të mbështesim Maqedoninë e Veriut dhe sidomos Shqipërinë për hapjen e negociatave, si dhe për të ndihmuar Malin e Zi të mbyllë të gjithë kapitujt, por ne e humbëm këtë shans. Ne si Gjermani do të punojmë që javën e ardhshme Shqipëria të mund të nisë negociatat. Ju të gjithë e meritoni të jeni pjesë e BE.

E them dhe personalisht. Familja ime është me origjinë nga Ballkani Perëndimor, unë e njoh mentalitetin, dhe mendoj se mentaliteti i Ballkanit Perëndimor është mentaliteti shqiptar, dhe e gjitha kjo është shumë e përafërt me mentalitetin e BE. Mendoj se Shqipëria mund të sjellë shumë dinamikë në BE, ndaj dhe ju keni mbështetjen tonë. Më besoni që po punojmë fort për këtë. Nesër, pas një dite të gjatë në Shqipëri, do të vizitoj dhe Maqedoninë e Veriut, për të mbështetur qeverinë dhe për t’i bindur ata që të arrijnë një kompromis. Neve na duhet Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në BE.

Ne duam të punojmë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Shumë njerëz nga Kosova po e shohin këtë konferencë dhe dua t’iu coj një sinjal të qartë atyre se ne po punojmë për vizat. Sic Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo edhe Kosova kanë bërë detyrat e tyre, edhe ne duhet të bëjmë detyrat tona. Për procesin e Berlinit, ne duam që të nisë këtë vit edhe një proces ekonomik, jo vetëm politik”, tha deputeti gjerman.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb