Shqipëria gjendet në një konflikt të thellë dhe të rrezikshëm që mund të rezultojë në gjakderdhje dhe luftë civile. Për muaj të tërë partitë opozitare dhe mijëra njerëz kanë protestuar në Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore e cila do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kjo krizë politike mund të konsiderohet po aq e tmerrshme sa ajo e vitit 1997 kur Shqipëria përjetoi një kaos total. Por kjo krizë mund të sjellë pasoja më të këqija se ajo e vitit 1997, sepse kërcënon themelet e vetë shtetit dhe qeverisjes, rendin kushtetues dhe mund të destabilizojë të gjithë rajonin.

Për gjashtë vitet e fundit, përvec nivelit të lartë të korrupsionit në qeveri, trafikimit ndërkombëtar të drogës ku u përfshinë Ministri i Brendshëm, policia e shtetit dhe madje edhe zyrtarët e ushtrisë, qeveria e Ramës ka punuar për të shkatërruar procesin kushtetues në Shqipëri, duke e asgjësuar Gjykatën Kushtetuese nëpërmjet të ashtuquajturës ‘reformë në drejtësi’, një eksperiment i përdorur vetëm për të mundësuar kontrollin e tij të plotë mbi sistemin gjyqësor.

Vendi është aktualisht pa një Gjykatë Kushtetuese, me një Parlament me 122 vende nga 140, nën kontrollin e tij, me një Prokurore të Përgjithshme të emëruar kundër Kushtetutës dhe vullnetit të faktorëve politikë dhe publikë, dhe kohët e fundit ai ka paraqitur në parlament kërkesën zyrtare për të larguar nga detyra Presidentin e Republikës, institucioni i vetëm që është ende funksional dhe që garanton unitetin e popullit. Dekreti i lëshuar nga Presidenti për anulimin e 30 qershorit synonte shmangien e konfliktit civil dhe ofroi një shans për dialog midis palëve politike. Por me kokëfortësinë e tij Edi Rama ishte i vendosur të përshkallëzonte krizën dhe të nxiste largimin e Presidentit nga zyra.
Kjo është një diktaturë e pastër.

Shumë përgjime u publikuan ditët e fundit nga gazeta gjermane Bild, mbi zyrtarë në qeverinë e Ramës duke folur me figura të krimit të organizuar në vend për të blerë vota në zgjedhjet e vitit 2017. Kryeministri Rama, Ministri Damian Gjiknuri, kryetari i bashkisë Vangjush Dako, u kapën në këto përgjime. Ky zbulim shkaktoi trazira masive civile dhe opozita kërkoi dorëheqjen e Ramës dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Në çdo vend demokratik, kryeministri duhet të kishte dhënë dorëheqje, por si përgjigje ndaj këtij skandali, Rama e shtyu zyrën e Prokurorisë që të shoqëronte me forcë Lulzim Bashën, kreun e opozitës, për marrjen në pyetje, duke e frikësuar atë me një arrestim të mundshëm dhe duke vepruar më tej për largimin i Presidentit të Republikës nga detyra.

Me një parlament të paligjshëm nën kontroll, Prokuroren e Përgjithshme nën urdhrat e tij, me udhëheqësin e opozitës në burg, me Presidentin e Republikës të shkarkuar nga detyra, me Komisionin Qendror Zgjedhor në dispozicion për të shkelur çdo ligj, me ushtrinë të gatshme për të ndërhyrë nën komandën e tij, me shumë diplomatë të BE dhe të vendeve të huaja në listën e tij të pagave, Edi Rama ka rrugën e lirë për të mbajtur zgjedhjet më 30 qershor, duke hyrë i vetëm në zgjedhje, e duke i fituar të gjitha 61 bashkitë e Shqipërisë.

Ky plan nuk është tjetër veçse një grusht shteti.

Edi Rama
Edi Rama

Shumë konfrontime kanë filluar tashmë. Tashmë bashkitë dhe qytetarët e zakonshëm po përplasen me policinë e shtetit. Në ditët në vazhdim konflikti do të përshkallëzohet dhe pritet një numër viktimash. Edi Rama është i vetëdijshëm për një skenar të tillë dhe duket i gatshëm të rrezikojë jetën e shumë shqiptarëve vetëm për të ruajtur karrigen e tij.

Hyrja në zgjedhje pa opozitën do të ketë pasoja serioze për integrimin e vendit në BE. Kjo do ta vendoste vendin shumë hapa prapa dhe do të ndikojë shumë në vendimin e Komisionit të BE-së për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit të planifikuara përpara tetorit 2019.

Pyetja që lind është përse ai është i gatshëm të zgjedhë një rrugë të tillë? Shumë e thjeshtë. Për shkak se popullariteti i tij ka rënë në mënyrë dramatike dhe shanset për të qëndruar në pushtet janë shumë të vogla. Duke u frikësuar nga humbja e rëndë në zgjedhje, ai duket i gatshëm dhe i vendosur të lejojë Shqipërinë të digjet dhe të rrezikojë jetën e popullit të tij, si dhe të krijojë një mundësi ideale për çdo aktor tjetër të jashtëm të destabilizojë të gjithë rajonin.

Mediat ndërkombëtare kanë shprehur shqetësime të thella dhe madje e quajtën Ramën një “i çmendur”. Ky i çmendur ka një ego të madhe dhe dëshirë të pandalshme për pushtet, prandaj shqiptarët si dhe vendet fqinje janë në rrezik të madh. Nëse Rama vazhdon me planin e tij, 30 qershori do të kthehet në gjakderdhje. Gjithçka mund të ndalohet me një akt të vogël integriteti nga ana e tij, dorëheqje, dialog ose çfarëdo mjeti tjetër për të shmangur këtë luftë civile gati për të ndodhur në ditët, ose ndoshta edhe në orët në vijim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb