Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kërkuar një politikë unike të BE-së ndaj refugjatëve. Në një intervistë dhënë gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ai kritikon shumicën e vendeve të BE-së për mungesë solidariteti ndaj refugjatëve. Rama po ashtu kërkoi që në Turqi të ndërtohet një mur europian mbrojtës ndaj refugjatëve.

Ndërsa Shqipëria nuk ka pranuar pothuaj asnjë refugjat nga Siria dhe vatrat e tjera të krizave (ashtu si edhe Kosova), kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të angazhohet më shumë për t’u ballafaquar me dramën e refugjatëve dhe të mos ua lë punën faktorëve anësorë si Turqia dhe vendet e Europës Juglindore. “Ballkani perëndimor është treguar më europian se shumë vende anëtare të BE-së, të cilat gjatë krizës së migrantëve kanë ofruar një pamje të turpshme”, tha Rama. Sipas tij Maqedonia dhe Shqipëria kanë regjistruar, transportuar dhe furnizuar me ushqime qindra-mijëra emigrantë gjatë rrugës së tyre drejt BE-së.

Rama tha se Serbia dhe Maqedonia e kanë bërë këtë ndonëse nuk janë anëtare të BE-së dhe refugjatët së pari kanë hyrë në Greqi, domethënë në hapësirën e Schengenit. Rama ka kërkuar që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje me Turqinë mbi kthimin e refugjatëve dhe krijimin e mundësive për emigrim legal në vendet e Schengenit. Sipas Ramës qëllimi është të ndërtohet një front europian mbrojtës në Turqi. “Ankaraja mund të luaj rol kyç në ndaljen e refugjatëve në rrugën e tyre drejt Greqisë dhe të bllokojë kontrabandën me njerëz”. Rama lavdëroi kancelaren gjermane: “Për fat të mirë ekziston Angela Merkel. Pa politikën e saj të arritjes së një marrëveshjeje europiane me Turqinë puna do të kishte ecur shumë më keq”.

Ndërsa shumë politikanë europianë, media dhe ekspertë të politikave ndërkombëtare kanë kritikuar BE-në se po lejon të shantazhohet nga Turqia, e cila po kërkon heqjen e vizave për qytetarët turq në shkëmbim të ndaljes së refugjatëve, Edi Rama ka një mendim krejt tjetër: “Nuk besoj se Turqia po e shantazhon dikë. Ajo po reagon kundër BE-së, e cila një kohë të gjatë është sjellë e rezervuar ndaj saj, e frikësuar dhe pa strategji të qartë. Nëse tani Ankaraja tregon njëfarë krenarie, kjo është e natyrshme”.

Ajo çfarë Rama e quan krenari, në fakt është sjellje autoritare e qeverisë turke. Ndërsa BE është e varur nga Turqia për të zgjidhur krizën e refugjatëve dhe kryesisht po hesht, kryetari Rexhep Taip Erdoan po e ashpërson fushatën kundër kritikëve të tij. Këto ditë korrespondenti i revistës gjermane “Der Spiegel” u detyrua të braktis Turqinë, pasi nuk iu vazhdua akreditimi. Në një koment të botuar para një jave revista nga Hamburgu theksonte se politika e zonjës Merkel ndaj refugjatëve po e forcon autoritarizmin e presidentit turk. “Der Spiegel” e quan marrëveshjen e BE-së me Turqinë për krizën e
refugjatëve «të neveritshme”, sepse kështu po tolerohen përpjekjet e Erdoanit për ta bërë Turqinë shtet sipas modelit rus të Vladimir Putinit.

Në intervistën dhënë “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Rama është angazhuar për anëtarësimin e Turqisë, Shqipërisë dhe shteteve të ish-Jugosllavisë në BE. “Na duhet një Europë e integruar, jo një më shumë vrima. Nuk bëhet fjalë për zgjerim, por për plotësim. Kjo vlen sa për Turqinë po aq edhe për Ballkanin perëndimor”.

Sa i përket parashikimeve se refugjatët nga Siria mund të përpiqen të kalojnë përmes Shqipërisë drejt vendeve të Schengenit, Rama deklaroi se tani për tani nuk ka shenja të tilla, por premtoi se pala shqiptare po e vëzhgon situatën me kujdes: «Nuk do të ndërtojmë mure. Por as nuk do t’i hapim ku¾jtë, sepse kjo do e bënte barrën edhe më të rëndë». Në fund të intervistës Rama tha se Shqipëria ka ofruar strehim të refugjatëve, por parakusht për këtë është një politikë e harmonizuar ndërkombëtare e migrimit./DialogPlus/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: