Nga: XhELAL MZIU *
Dua të informoj opinionin publik dhe qytetarët e Kamzës, në lidhje me atë që është një skemë gjakftohtë, e mirëmenduar e Edi Ramës për të përdorur çdo mjet në arritjen e synimeve të tij.
Synimi i tij është marrja e Kamzës, dhe meqenëse me votë e ka pasur dhe e ka të pamundur, atëherë Edi Rama ka futur në veprim çdo instrument, edhe në shkelje të ligjit, për të shmangur garën e rivalitetin.
Vendimi i sotëm është marrë në kushtet e një presioni të paprecedent politik. Vetëm një ditë më parë, përfundimet e këtij vendimi u lexuan nga numri dy i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Parlament. Shpifës Balla haptazi kërkoi nga Kuvendi që gjykata sot të më dënonte me çdo kusht.
Ky vendim, një ditë pas pretencës së bërë nga mazhoranca në seancën plenare, u komentua sot në mënyrë festive nga Edi Rama, nga selia e Partisë Socialiste.
Rama foli me një kënaqësi perverse si për të thënë që e hodha hapin e parë drejt Kamzës.
I ndikuar politikisht, i diktuar, ka qenë procesi ndaj meje që ditën e parë.
Ka nisur me urdhër politik përndjekja ime dhe përndjekje ka qenë në çdo moment, pasi për asnjë çast nuk ka pasur proces të rregullt ligjor.
Akuza është qesharake dhe ajo është një dosje që studentët e vitit të parë të Drejtësisë do ta hidhnin menjëherë në kosh, pasi nuk ka asnjë argument ligjor.
Avokatët e mi do ta sqarojnë opinionin publik me detaje të hollësishme, se si është ngritur nga hiçi, nga zeroja, një akuzë që është thjesht një shërbim politik për Edi Ramën.
Ia vlen të theksohen 3 momente që e nxjerrin zbuluar dhe farsë këtë proces.
1- Nuk ka asnjë dëm ekonomik, nuk është shpenzuar asnjë qindarkë publike, pra nuk ka asnjë pasojë.
2- Kompania që ka bërë kallëzimin penal nuk ka paraqitur asnjë nga dokumentet e kërkuara nga ligji për lidhje kontrate.
3- Për sa i përket aplikimit të taksave lokale, vetë prokuroria ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj meje për të njëjtën akuzë për taksën e vitit 2014, çfarë do të thotë se vetë Prokuroria e ka rrëzuar këtë akuzë.
Është politik ky proces ndaj meje, dhe mund të vëreni se si vendimi merret pikërisht përpara nisjes së fushatës dhe ndërkohë që unë jam shpallur zyrtarisht kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë e re të Kamzës.
Por dua të siguroj qytetarët e banorët e Kamzës dhe Paskuqanit, se asgjë nuk me bën të tërhiqem nga angazhimi që kam për t’u shërbyer atyre, për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e tyre.
Kushtetuta e Shqipërisë i njeh pafajësinë çdo qytetari i cili nuk është gjetur fajtor me vendim të formës së prerë, dhe i tillë është vetëm vendimi i Gjykatës së Apelit.
Dua të shpreh publikisht gatishmërinë time të plotë për të zbatuar çdo vendim gjykate, duke mbajtur të gjitha përgjegjësitë e mia ligjore, politike dhe morale, dhe për ta ndjekur e apeluar çështjen deri në fund. Kam besim te drejtësia dhe ligji, edhe pse asnjëherë më parë gjyqtarët nuk kanë qenë nën një presion të tillë të hapur politik nga kryeministri i vendit.
Kontrata që kam me banorët e zonës sime është e pathyeshme, e pamundur të cenohet nga Edi Rama dhe urdhrat e tij politikë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: