Gjatë intervistës së tij për gazetaren Elona Meço në Radio Televizionin Kombëtar kreu i PD Sali Berisha deklaroi se dallimi kryesor mes PD-së tani dhe asaj para tij është se nuk do të dorëzohen betejat.

Sipas tij fitorja është i vetmi rezultat i kënaqshëm nga zgjedhjet e ardhshme , e cila sipas tij është në numër dhe cilësi.

Ai shtoi se kërkon ta ketë përballë vetëm kryeministrin Rama dhe se betejën PD e ka me të ndërsa tha se për sa i përket logos së partisë ka një vendim gjykate që është në fuqi.

Intervista

Pak ditë më parë ju folët për nisjen e manipulimit të zgjedhjeve nga qeveria, por siguruat që PD nuk bojkoton. A mjafton për ju të thuhet vetem “e rëndësishme është pjesëmarrja, do të fitoj herës tjetër”. 

Sali Berisha: Nuk dorëzon beteja Partia Demokratike. PD është në betejë. Ky është dallimi esencial mes asaj PD që ishte dhe kësaj që është sot. Kjo qëndron në betejë dhe rregjistron ëdo hap të Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet si parti shtet. Ai nisi garën si parti shtet, duke mbledhur me detyrim gjimnazistët etj etj. Këto do të jenë përcaktuese në qendrimet  tona, por ne nuk bojkotojmë.

Cili është një rezultat i kënaqshëm për ju në zgjedhje?

Sali Berisha: Fitorja!

Çfarë quhet fitore? Që nëse mbeten 61 bashki ju të merrni shumicën?

Sali Berisha: Fitorja është numër dhe cilësi.

Pra, kërkoni Tiranën, Durrësin, Shkodrën sigurisht?

Sali Berisha: Pa diskutim. Kush ta marrë Tiranën? Një gënjeshtar i lindur dhe një hajdut si Erion Veliaj, që të vetmin mjet fushate ka mashtrimin dhe intrigën, por që tani po ia bën dhe Edi Ramës, por nuk më inetreson. E vetmja gjë që nuk më pëlqen këtu ështëse ky njeri m’u bashkëngjit edhe kundër Fatos Nanos. Edi Ramën e dua përballë vetëm.

Po e ftoni sërish zotin Veliaj që t’ju bashkohet për të rrëzuar Ramën si Nanon?

Sali Berisha: Atëherë më ndihmoi se u vesh si nuse.

 Jo, atëherë ju ndihmoi se bëri protesta në fakt.

Sali Berisha: Ke harruar paradën e nuseve para kryeministrisë?

Jo, nuk kam harruar kur ju takoheshit me zotin Veliaj në Rogner dhe bashkëpunonit me zotin Rama për këtë ëështje.

Sali Berisha: Kur hiqte fustanin unë e takoja, por ai bëri paradën e nuseve. U vesh me 24 shokë si nuse.

Kjo ishte koha kur zoti Nano u martua me Xhoana Nanon dhe ju e akuzonit, por kjo kjo është një gjë tjetër. Nëse përsëritet 6 marsi dhe PD del e ndarë, ju me një logo, pala tjetër me logon zyrtare.

Sali Berisha: Jo, logon zyrtare e kemi ne. Ka vendim gjykate për logon.

Por KQZ nuk e njeh.

Sali Berisha: Nuk e njeh Edi Rama. Por një vendim gjykate ekziston. Derisa nuk ka një vendim të dytë, ai është në fuqi. Dhe nuk mund të ketë një vendim të dytë veë atij.

 E kuptoj që do të ketë konflikt edhe për këtë, por nëse PD del e ndarë, çfarë përgjegjësie do të keni ju?

Sali Berisha: Treni i saj nuk ka të ndalur, PD po bën çdo përpjekje që të bashkohemi me çdo demokrat, por ne betejën e kemi me Edi Ramën. Përgjegjësitë janë statutore. Statuti thotë “nëse nuk fitohen zgjedhjet lokale, kryetari i PD shkon në votëbesim dhe do të respektohet plotësisht. Nëse humbet zgjedhjet e përgjithshme, ai jep dorëheqjen e pakthyeshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb